Surroi: Përshëndetje!. Në PIKË është shkrimtari, gjuhëtari, politikani, aktivisti, kritiku letrar, prof. dr. Ali Aliu, i cili është njëkohësisht edhe akademik.
Një rrëfim i gjatë i një jete, e cila ngërthen në të edhe pjesëmarrjen në Kongresin e Gjuhës, të Drejtshkrimit në vitin 1972. Njëri prej njerëzve që janë identifikuar me Universitetin e Prishtinës që nga fillimi, me Akademinë e Shkencave, me themelimin e LDK-së, me një episod si, ta quajmë ashtu, diplomati i parë i Kosovës në Tiranë, asokohe, gjatë kohës së shoqërisë tonë paralele, rezistencës tonë paqësore. Mirë se vjen në emision.
Aliu: Faleminderit për ftesën dhe po ndihem mirë.
Surroi: Jashtëzakonisht, edhe unë po ndihem mirë. Kemi të bëjmë me Ali Aliun, i cili ka hyrë në vitin e tij të 93-të, pra, është një rezervuar i tërë i memories sonë, i kujtesës sonë historike, jo vetëm të Kosovës, por të një pjese të madhe të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe të kombit shqiptar në tërësi. Dhe po e fillojmë me fëmijërinë.
Po e fillojmë me faktin që jeta jote është ndarë në katër pjesë, në katër sisteme të ndryshme dhe pjesa e parë fillon në Kranjë, në Toskëri, në pjesën e Toskërisë së Maqedonisë. Si dukej?
Aliu: Në moshën 5-6 vjeçare mbaj në mend disa imazhe të kohës dhe përmbysjen e asaj Jugosllavie mbretërore në fund të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Unë e mbaj mend përmes disa imazheve, meqë Kranji është 5-6 kilometra në veri të kufirit me Greqinë.
Përballë, në perëndim është liqeni dhe me Shqipërinë kufiri është në mes të liqenit.
Dhe meqë kufiri me Greqinë ka qenë këtu afër, mbi malin Pelister, filluan të zbresin poshtë kufirit ushtarët me uniformë të asaj mbretërie. Dhe mua më kujtohet, nga dritarja e shtëpisë, gjyshja ime më thoshte: “Ja! U përmbysej kjo qeveria, këta janë ushtarë që po dorëzohen dhe po kthehen”.
Ata ktheheshin në radhë e kështu me uniforma, me armatim siç ishin. Domethënë, këto janë vizionet e përmbysjes të një sistemi, që e tha ti.
Surroi: Edhe shteti.
Aliu: Po. Dhe menjëherë pas kësaj, në Prespë u tha që erdhi Shqipëria. U bëmë Shqipëri. Meqë edhe para kësaj gjyshja ime uronte ashtu në mbledhje, e mbante, ishte më plaka, e mbante kupën e rakisë përpara, e urimin e parë e bënte: “U bëfshim Shqipëri”, dhe u bëmë Shqipëri.
Imazhi i parë nga kjo si u bëmë Shqipëri ishte ky në Kranjë: dolën të gjithë banorët gati, të gjitha moshave dhe i pritën një grup karabinierë italianë, që zbarkuan nga ajo pjesë e Shqipërisë përballë, nga rrënzët e malit Korab, të thatë, Mali i thatë, dhe i kanë rënë trup daljes në Prespë dhe e kanë mbërrirë para bullgarëve, se ata ishin në një front edhe kush ku mbërrinte, e vinte kufirin. Sa vend zinte.
Dhe të gjithë ne, unë fëmijë kam qenë, vraponim mbas sazeve, daulleve, me të cilat i pritën karabinierët nëpër ujëra, nëpër… pasuri ujërash nga Pelisteri Prespa, ujëra që derdhen në Liqenin e Prespës dhe menjëherë, mbas këtyre përshtypjeve, u hap shkolla e parë në Kranjë në shqip, shkolla e parë.
Surroi: Dërguar nga Ernest Koliqi atëherë.
Aliu: Po. Dhe u bënë shumë nxënës. Mbi dyqind nxënës. Deri atëherë ka pasur shkollë serbe. Dhe u hap…
Surroi: Sa ka pasur nxënës në atë shkollë serbe?
Aliu: Po të gjithë kanë shkuar. …në një mënyrë. Por ishte ajo që ata, mandej ata që i gjetën në klasë të tretë a të katërt, i vunë në ato klasa dhe u hapën të gjitha klasat dhe u bënë katër mësues të ardhur nga Korça.
Unë fillova në klasën e parë edhe kisha një mësuese nga Korça, që quhej Dhorka Çeleshi. Këto ishin fillimet e para. Mbaj mend që ata vinin shpesh, të tre mësuesit edhe Dhorka vinin shpesh si mysafirë nëpër shtëpitë tona.
Ishin vendosur në shtëpi private dhe Dhorka më kishte mjaft, si të thuash, të afërt, simpati, nuk e di pse, bile u thoshte kolegëve atje që më përngjan në një vëlla në Vidhkuq të Kolonjës andej, edhe kjo më bënte mua që të mësoj pak më shumë edhe e mbaj mend që kur i mësonim germën e radhës, ajo e dinte që unë e kam mësuar para kohe, më thoshte hajde nise ti tani. Kjo ishte.
Surroi: Cila ishte gjuha standarde e aso kohe? Ishte standardi i Elbasanit?
Aliu: Ai në të vërtetë, po ne megjithatë ndahemi me nëndialekte, Korça, megjithatë, ka nuancat e veta të të folurit që janë shumë identike me të Prespës. Pogradeci, Korça, Prespa janë një pellg.
Surroi: Dhe instruksioni bëhej në një nëndialekt…
Aliu: Po. Po të katër këta mësues ishin duket me prejardhje nga Korça. Domethënë, kështu unë kreva, në këtë kohë kreva klasën e tretë fillore dhe mandej u përmbys Italia. Një vit nuk kishim…
Surroi: A e mban mend momentin e përmbysjes?
Aliu: Si jo! Ajo ishte Erdhën në Prespë brigada të Zija Bitinckës, thoshim ne, partizane në Prespë dhe u përballën, se filluan mandej të ndahej, t’i vënë sinoret e kufijve, po ku do të jetë bullgari ku do të jetë Shqipëria. Dhe e di që mu në Kranjë u bë një përplasje kështu edhe mes partizanëve dhe atyre që konsideroheshin ballistë, por që ishin në krah të sistemit Shqipëri-Itali.
Surroi: Ushtarët e Vitorio Emanuelit…
Aliu: E mbaj mend që u krijua një atmosferë acaruese.
Surroi: Dhe ishin shqiptarë nga dyja anët.
Aliu: Shqiptarë nga dyja anët.
Surroi: Domethënë, edhe nga partizanët, edhe nga…
Aliu: U bë një masakër bullgare aty, u bë një varrosje kolektive, mbi tridhjetë veta i mblodhi nga Kranji, burra, kot kështu edhe…
Surroi: Ishin bullgarët partizanë, apo jo, ende pjesa fashiste e Bullgarisë?
Aliu: Po ende pjesa e tyre. Me porosi të vendasve, merreni këtë, merreni atë, u bë, po mbas, siç quhet ajo, çlirimit, u hesht, ky masakër u hesht dhe nuk u përmend fare.
Surroi: Ky i 1945-s?
Aliu: Po. Domethënë, kështu kaloi përmbysja tjetër, një vit duket ishim pa shkollë fare dhe mandej u hap shkolla fillore katër klasë.
Surroi: Kjo i bie 1945-n?
Aliu: Po unë kreva klasën e parë këtu… katër klasë te tetëvjeçares, familja më dërguan në Manastir. Vetëm atje kishte tetëvjeçare. Por më mbeti…
Surroi: …dhe ishte në gjuhë shqipe?
Aliu: Po! Më mbeti një kujtim nga koha e Italisë.
Prespa ishte nënprefekturë e Korçës. Dhe Prespë-Korçë qarkullonte një autobus në njëzet e katër orë një herë.
Edhe shoferi i këtij autobusi, Vasfiu, ishte njeriu më i popullarizuar dhe më i përmendur në Prespë.
Nisej mu nga kufiri i Greqisë edhe i vinte e rrotull, rrotull Liqenit të Prespës në Oteshevë, Stenjë, Zvezdë dhe zbritte në Korçë, rreth 50-60 kilometra. Dhe kush do të kishte fat të gjejë vend për në Korçë, ishte njeriu më i lumtur, familja më e lumtur aty.
Unë një herë kam mundur kështu të udhëtoj me babanë tim në pazarin e Korçës, se edhe si fëmijë dëgjonim në pazar të Korçës, bleva këtë, bleva atë…
Surroi: Në Parisin e vogël.
Aliu: Në Parisin e vogël, te dr. Polena. Ishte me emër të madh: “te dr. Polena shkova e pashë, më dha këtë hapin…” Domethënë, jetonim me këtë… si fëmijë unë jetonja me Korçën.
Surroi: Qyteti ishte Korça?
Aliu: Po, bota ishte Korça, në një mënyrë.
Këto ishin domethënë kujtimet e mia të para të kohës së Italisë, edhe shkollimi me Dhorkën që unë e adhuronja, e admironja.
Surroi: Ajo duhet të jetë Theodora, besoj, duhet të jetë emri i saj, shkurtesa…
Aliu: Po, ashtu po që me atë e kam një histori mandej mjaft dhimbëse kështu gjatë viteve ‘70 kur tentova ta kërkoja në Korçë dhe s’munda. Një detaj në vete kështu mjaft, si të thuash, pikëllues, e kërkova që të takoja dhe më thanë që s’ekziston.
Bile kam qenë… një detaj, a mund të ndaj?
Surroi: Patjetër, patjetër.
Aliu: Ishte fillimi i ‘70-e, kur unë shkoja shpesh në Tiranë.
Surroi: Si profesor i universitetit…
Aliu: …edhe si anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve, në dy drejtime, më binte dy-tri herë në vit të shkoj, o për ligjërata o për manifestime letrare. Dhe gjithnjë kërkonja që në kthim të shkonja nga Korça, të ndalesha një natë atje.
Dhe më përcillte Jorgo Buloja për në Korçë. Ishin të dy, në një makinë që na dhanë nga Tirana.
Surroi: Jorgo Bulo ishte?
Aliu: Jorgo Bulo ishte asokohe profesor në universitet.
Surroi: Funksioni i tij ishte?
Aliu: Ai ishte edhe studiues i letërsisë.
Surroi: Po, por mendoj funksioni i tij ishte edhe në Lidhje të shkrimtarëve.
Aliu: Po, po.
Surroi: Edhe si i tillë u vu në dispozicion, në atë kuptim…
Aliu: Po, po. Ai merrej me studime, një nga kritikët më të mirë.
Dhe në mbrëmje na shoqëroi një i sektorit të arsimit në Korçë.
Mbaj mend hëngrëm darkën në një si hotel ishte, si barakë, më shumë si tavernë hesapi edhe unë e tregova historinë time dhe e kërkova këtë… që të nesërit në mëngjes mundësisht ta takoj. Bile nuk kam bërë gjumë të rehatshëm se fillova të mendoj, isha i sigurt që do ta takoj, por thashë do të thotë ajo po kush është ky, unë kam patur me qindra fëmijë atje, mbas njëzet vite, a tridhjetë sa janë bërë prej atëherë, s’të mbaj mend.
Kështu edhe fillova, kështu thashë: ç’m’u desh?
Nejse, dëshpërimi tjetër erdhi, kur thanë nuk ekziston kjo! Edhe unë e mbylla këtë punë.
E tashti, mbas shumë viteve tjera, në fillim të shekullit 21, meqë kthehem edhe një herë, isha në pushim në Prespë, në shtëpinë time në Kranjë, ku jam lindur, në një vapë të madhe ishte o korrik o gusht, më vjen në shtëpinë time një fëmijë: “Xhaxhi Ali, xhaxhi Ali, jam me ca njerëz në atë lokalin e qendrës, aty të Kranjit, po të kërkojnë”. Mesdita ishte. Dola unë edhe në mendje kisha që shpesh njerëzit që kalonin nga Shqipëria e Tirana, që më dinin, që i njihnja ose ma kishin dëgjuar emrin, donin të pinë një kafe me mua aty.
Edhe unë zbrita shpejt, hyra në atë lokal, pashë me një tavolinë tri gra dhe dy burra, këndej këta bashkëvendësit e mi, kallaballëk të ulur. Hyra unë dhe këta u habitën që unë po i shikoj ata si njeri i panjohur.
E dëgjova një nga to gratë, tha: po, ky është e kam parë në televizor, Aliun.
Edhe unë u afrova atëherë. Ata ishin. Ishte djali i Dhorka Çeleshit, me mbiemër Dhorka Shallo dhe ai e kishte emrin e Gjin Shallo Dhe ajo ishte zemëruar që ata kanë mundur ta gjejnë, edhe pse ajo ishte çikë atje, u martua dhe kishte marrë mbiemër tjetër edhe ata në një mënyrë e fshehën qëllimisht. Kanë pasur ndonjë rezervë, si zakonisht që ishte atëherë, dhe ai ishte me të shoqen, ajo mjeke, ai inxhinier, e kishin një vajze që studionte në Budapest gati mbaronte nga fundi i mjekësisë edhe dy miq të tyre u miqësuam mandej… krejt kjo histori, por ata më sollën mandej foto të saj, i më sollën edhe disa simbole, dhe kështu që unë edhe i ruaj…
Surroi: Është edhe një metaforë e mirë që kemi filluar të rizbulohemi në shekullin 21.
Aliu: Po!
Surroi: E bukur! Po, po kthehemi…
Aliu: …në Manastir!
Surroi: Po të kthehemi te Manastiri! Manastiri ishte i vetmi… jo, duhet të ketë pasur edhe në Shkup apo jo, shkollë të mesme?
Aliu: Jo, jo ishte fillore, s’kishte Manastiri, edhe sot s’ka shkollë të mesme shqip!
Surroi: Domethënë, ishte cikli i lartë i shkollës fillore.
Aliu: Edhe ne të Prespës ishin nja 10 a 12 fëmijë që e kalonim, bile në vjeshtë kur vinim e kalonim Pelisterin, se Pelisteri është në mes të Prespës dhe Manastirit, ne jemi në perëndim, ata në lindje.
Edhe në kohë të mirë ne bëheshim grup edhe kalonim, në mëngjes dilnim e në mbrëmje zbritnim në Manastir. Dhe në fund të vitit në qershor, kur ishte përsëri kohë e mirë, e bënim udhëtimin kështu.
U vendosëm në një konvikt, që ishte konvikt për nxënës maqedonas, të shkollave të mesme, të gjimnazit, se Manastiri kishte gjimnaz në maqedonisht, por nuk kishte rrethi me qytezat Prilepi, Krushova, Resnja… nuk kishin gjimnaz dhe kishin internat.
Surroi: Resnja ka pasur më shumicë shqiptarë apo jo?
Aliu: Jo, asnjëherë s’kanë qenë shumicë.
Dhe ne na vendosën aty 11-12 filloristë me gjimnazistë që ne na dukeshin filozofë edhe jetonim…
Mbas shumë kohe, kur ika ndoshta në shkollë të mesme, as atëherë nuk e dinja, shumë më vonë u zbulua që konvikti ku rrinim ne kishte qene pallati i Tajar Zavalanit, ku u mbajt Kongresi i Manastirit. Dhe ishte një pallat, që qe atëherë dukej brenda i sistemuar diçka që ne s’e kishim parë, besoj që ke qenë, në dy anët kështu hyhet, mbas një oborr të madh, ne kishim luanin top gjithë ditën atje… poshtë kur hynje ishte, menza, tërpezaria për mysafirë, e madhe, domethënë edhe ishin dy-tre kate sipër që ne i kishim edhe mësonjtoret edhe dhomat e gjumit.
Por disa detaje tjera, gjurmat tjera, edhe si filloristë i dëgjonim, na vinin në veshë: Migjeni ka qenë këtu. Edhe në atë ndërtesë ku ishte gjimnazi, një ndërtesë e arkitekturës austriake, edhe sot është ndër me monumentalet në Manastir, buzë Dragorit, thoshin që ka qenë shkollë turke, Bajo Topulli ka qenë drejtor i një gjimnazi në një lagje atje ku kishte shumicë shqiptare, na thoshin: ja, Qiriazët këtu kanë qenë, do mure, kanë bërë libra, domethënë na vinin fragmente të tilla që nuk i lidhnim dot ende këto gjurmë.
Surroi: E identifikonit edhe popullatën vllahe se aty ka pas një kontingjent i mirë i vllahëve
Aliu: Ata e kanë dominuar Manastirin. Në të vërtetë që në fund e paguan koston… maqedonët bënë një politikë mandej që ta asimilojnë çdo komunitet… që nuk është…
Surroi: …edhe vllahët u integruan gjithkund, gjithkund në çdo…
Aliu: …ose u asimiluan ose u integruan
Surroi: …dhe ishin pjesë e elitës vllahët, gjithkund kanë qenë në…
Aliu: …financat, bizneset i kanë mbajtur ata.
Surroi: Në Manastir, në Korçë, në Greqi.
Aliu: Në Manastir ka patur një biznes, i thoshin, një pazar të mbuluar, që ishte si qytet i tërë. Manastiri në të vërtetë ka qenë gjithnjë qytet me 70-80 mijë banorë, aq sa afërsisht kishte edhe Shkupi asokohe.
Surroi: Plus gjatë Perandorisë Osmane ka qenë shkolla ushtarake atje.
Aliu: Qytet konsujsh… edhe karakteristike se kam pasur mandej shumë miq dhe kolegë në studimet në Beograd, nga Manastiri që vinin, dhe ata në të vërtetë silleshin në atë mënyrë që e nënvlerësonin Shkupin.
E kisha njërin cimer në një dhomë, e thoshte: “në Shkup kur vij, vishem kështu e ja si këtu, një palë tesha të mira i ruaj për Manastir, jo për Shkup!” Domethënë, Shkupi e ruante këtë frymë.
Surroi: Çfarë ishte distanca mes shqiptarëve dhe të tjerëve? A u hetua në atë periudhë?
Aliu: Shiko, ne në konvikt na trajtonin mirë. Ishte një periudhë ku vështirë mund ta hetonje, sidomos ne pa përvojë, të rinj, të hetonje ndonjë dallim që na urrejnë. Nuk e hetonje dot në atë kohë këtë ndjenje. Domethënë afroheshin moshatarët tonë edhe në rrugë, në lojë, edhe vajzat në lagje, domethënë nuk u ndjehej. Do të lindë vazhdimisht shkallë, shkallë.
Surroi: A ka ndonjë moment kthesë, kur krijohet një hendek më i madh mes shqiptarëve dhe maqedonasve apo popujve tjerë? Shtetit, në fakt.
Aliu: Unë atë e kam ndier, mbasi u ktheva nga Beogradi. Në shkollë të mesme, e tash nga Manastiri u regjistrova në normale, e ishte e vetmja shkollë e mesme e shqip në Maqedoni.
Surroi: Normalja e Shkupit.
Aliu: Nuk kishte shkollë tjetër. Kishte në Tetovë vetëm nga një paralele në gjimnazin “Qiril Pejçinoviq” në maqedonisht.
Surroi: Zef Lush Marku s’ishte asokohe.
Aliu: Kjo ishte Zef Lush Marku…
Surroi: Në Shkup?
Aliu: Po.
Dhe ishim me një oborr me një shkollë pedagogjike që ishte atëherë në maqedonisht dhe na trajtonin pak a shumë mirë edhe në qytet.
Në Manastir, mbaj mend këtë detaj: që ishte fillimi i viteve ’50, 1952-3-4, domethënë kështu i binte, 1955 ndoshta, është koha e shpërnguljeve, dyndjeve më të mëdha të shqiptarëve drejt Turqisë.
Surroi: Të cilët vinin në Maqedoni, sepse aty merrej viza “vesika”…
Aliu: …vesika, e ashtuquajtur vesika
Surroi: Vinin në konsullatën turke në Shkup.
Aliu: Edhe që ato detaje në s’i dinim po ne dilnim në mbrëmje, se çdo mbrëmje nisej një tren i gjatë, nga stacioni i trenit në Shkup që ka qenë stacioni i trenit nga më të mirit, thoshin i Beogradit po se po…, po në Ballkan. Nuk e di a e mbërrite ti.
Edhe ne shkonim në atë hollin e madh atje edhe shihnim familje, krejt holli i mbushur me familje shqiptare që mbanin me vete, pranë vetes, dengje të lidhur me dyshegje, me çdo gjë që mundnin të merrni nga shtëpia;
Surroi: Dhe nuk ishin vetëm kosovarë, ishin nuk ishin edhe shqiptarë të Maqedonisë…
Aliu: Shumica kosovarë, po ishin edhe shqiptarë të Maqedonisë.
Niseshin nga Shkupi. Dhe ne shkonim të bënim sehir në një mënyrë, edhe e ndienim qysh, ç’ndodh kjo, ama ndodhte çdo natë kjo me vite. Kjo edhe një detaj tjetër që më ka mbetur i gjallë se në atë rrugën kryesore nga qendra e Shkupit, që është edhe tani drejt stacionit hekurudhor, është ajo rruga kryesore që kanë ata, atëherë thoshin, “bënim korzo”, dhe në mes të asaj rruge, ishte kisha katolike aty ku është Nënë Tereza tash, po kisha s’ekziston. Dhe ishte një ndërtesë, një arkitekturë shumë e bukur me gurë të gdhendur e thurur, ishte njëkatëshe, edhe ne të dielave shkonim e dëgjonim muzikë shqip.
Surroi: Mbas meshës?
Aliu: Po. Vareshim në ato muret kështu me gurë të lëmuar aty edhe dilnin ata e na shikonin, ne i shikonim.
Surroi: Ishte kori apo?
Aliu: Po, kori.
Surroi: Kori i kishës.
Aliu: Këto imazhe më kanë mbetur të gjalla nga Manastiri, ne bënim aty një jetë, jo të mbyllur brenda atij oborri të shkollës normale, ku kishim edhe mësimin edhe kati sipër internatin.
Por, dilnim në qytet. Nuk kishim frikë si një kohë që shqiptarët në atë pjesë të Shkupit e kishin vështirë të dalin pa droje.
Surroi: Nuk kishte kufi…
Aliu: Jo! Domethënë shkonim nga njëherë edhe në ato ballot e shkollave të mesme që i bënin vinin moshatarët tanë edhe në atë që i bënim ne në shkollën tonë.
Surroi: Vazhdoi kjo në vitet ’60?
Aliu: E në vitet ’60, unë në vitet 1955-1956 shkova në Beograd edhe në 1960 u ktheva…
Surroi: Këto janë studime në Beograd
Aliu:. …në studime.



