Instituti i Shëndetit Publik rekomandon qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë festave të fundvitit. Ata rekomandojnë konsumimin e ushqimeve të shëndetëshme, hidratimit të duhur dhe theksojnë rreziqet nga alkooli dhe mjetet piroteknike për festat e fundvitit.
INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK
“Rimendoni për pijet tuaja. Pijet e ëmbla fshehin një të vërtetë të hidhur. Mos blini apo ruani pije me sheqer në shtëpi. Në kafene, restorante etj, mos porositni pije freskuese dhe shmangni kremrat, lëngjet tretëse, sirupet etj. Mbani rregullisht ujë në një shishe qelqi me vete. Nuk ka nivel të sigurtë të konsumimit të alkoolit. Konsumimi i alkoolit mund të shkaktojë kushte të padëshiruara. Për personat e moshës 15 deri në 39 vjeç nuk ka përfitime shëndetësore nga pirja e alkoolit, por vetëm rreziqe shëndetësore”.
Nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë që t’i iket festimit me mjete piroteknike sepse siç thonë ata, viteve të fundit nga përdorimi masiv i tyre, festat janë kthyer në aksidente.
INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK
“Në bazë të amosferës festive tek fëmijët dhe adoleshentët festa pasohet me rritje të përdorimit të materialeve piroteknike. Përdorimi i materialeve piroteknike ka pasoja të rënda negative për shëndetin publik. Dëmtimet që lidhen me përdorimin e lëndëve piroteknike janë të rënda, duke i kthyer në aksidente shumë festa dhe momente të lumtura”.
Nga atje theksojnë se më të prekurit janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje të frymëmarrjes apo të zemrës. Ekspozimi afatshkurtër ndaj nënprodukteve piroteknike, thonë ata, mund të përkeqësojë një sëmundje ekzistuese të mushkërive ose të shkaktojë një sulm astme.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/