Kryetarit të Komunës së Liqenasit, Edmond Temelko i është caktuar masë e paraburgimit prej 30 ditëve me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike. Gjykata themelore Shkupi 1 sot ka informuar se masa e paraburgimit Temellkos i është caktuar për rastin “Titanik”, ku dyshohet se ka marrë pjesë në parregullsi gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013-të.
GJYKATA THEMELORE SHKUPI 1
“Këshilli Penal i repartit për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1- Shkup, duke vepruar në bazë të propozimit të Prokurorisë Themelore për ndjekje të veprave penale që dalin nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve (PSP) për përcaktimin e masës së paraburgimit kundër të akuzuarit E.T në një seancë të pa-lajmëruar më 25.09.2017, menjëherë pas pranimit të propozimit nga gjykata, solli vendimin me të cilin pranon propozimin e PSP-së, dhe të akuzuarit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve”.
PSP ka kërkuar paraburgim për Temelkon përshkak se ai ka kaluar kufirin e Maqedonisë me pasaportë të Shqipërisë dhe nuk është paraqitur në gjykatë një herë në javë.
LENÇE RISTEVSKA, PROKURORE E PSP-SË
“Nga ajo që unë e kam si të dhënë për momentin është se paraburgimi është caktuar me kërkesën tonë. Ne kemi poseduar informacion se i akuzuari e ka kaluar kufirin dhe nuk gjendet në Maqedoni. Për detaje tjera nuk mundem për momentin t’ju informoj”.
Kundër Temelkos është lëshuar flet-arrest ndërkombëtar. Ai është i akuzuar në rastin “Titanik” për parregullsi zgjedhore, gjegjësisht për vepra penale të bëra kundër zgjedhjeve dhe votimit.
Enis Murtezi /SHENJA/

