Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimine Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007, me të cilin u ndërruan rrugët e qytetit. Pas këtij vendimi ka reaguar BDI-ja, e cila vlerëson se po vazhdon sulmi ndaj çdo vlere shqiptare dhe ndaj realitetit të ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit. Ish-partia në pushtet vlerëson se ky është skandal dhe provokim i drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës, barazisë dhe themeleve të shtetit të ndërtuar pas vitit 2001.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës, e cila dikur premtonte se do t’i ndryshonte edhe emrat e tjerë të rrugëve, u tregua e paaftë edhe për ta mbrojtur atë që e kishte trashëguar si vendim institucional nga koha kur BDI udhëhiqte komunën.Këtu nuk bëhet fjalë për vendim juridik. Ky është mesazh politik dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj çdo gjëje që nderon historinë tonë, sakrificën tonë dhe pozitën tonë si komb shtetformues”
BDI vlerëson se autorët dhe porositësit e kësaj fryme janë të njëjtët që publikisht proklamonin se “Maqedoninë do t’ua kthejnë maqedonasve”.
Ka reaguar edhe nënkryetari i komunës së Tetovës, Albi Qamili kjo është edhe një punë gjysmake e BDI-së, pjesë e, sipas tij “tangos BDI-Gjykata Kushtetuese!”.
ALBI QAMILI, NËNKRYETAR I KOMUNËS SË TETOVËS
“Tandemi BDI – Gjykata Kushtetuese vazhdojnë tentativat për ta goditur VLEN-in duke i goditur shqiptarët. Po shfuqizojnë një vendim që nuk është implementuar asnjëherë.
Nuk ka dyshim se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese ndien një detyrim ndaj shumicës së mëparshme qeverisëse që i zgjodhi ata dhe sjell vendime për të ndihmuar politikisht BDI-në. Mjafton të shohim se kush i gëzohet vendimit skandaloz të kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese”
Qamili deklaroi se këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që BDI-ja nuk e respektoi dhe si rrjedhojë ato emra asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishme. “Ne i kemi parapri kësaj, prandaj ka një Komision për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të miratojë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme e cila reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, ka shkruar Qamili.
Enis Murtezi /SHENJA/


