Seanca gjyqësore për rastin “Fortesa2” është anuluar për dy tetor shkaku i mungesës së Goran Grujovskit dhe Nikolla Boshkovskit. Gjykata e anuloi seancën pasi ende nuk kanë marrë njoftim zyrtar nga policia se Grujovski dhe Boshkovski janë në arrati, në mënyrë që gjykimi të mund të zhvillohet edhe në mungesë të të akuzuarve, që tashmë më shumë se dy muaj po kërkohen ndërkombëtarisht.
Lençe Ristovska, prokurore
“Seanca u anulua pasi ja njëri prej të akuzuarve është i pakapshëm. Gjykata por edhe ne po bëjmë përpjekje që të marrim njoftimin zyrtar se i akuzuari kryesor është i pakapshëm, dhe nga java e ardhshme do mund të fillojmë me gjykimin”.
Avokati i Grujovskit Lupço Shvrgovski, i angazhuar nga djali i ish shefit të drejtorisë së pestë, tha se do ta mbrojë Grujovskin në mungesë.
Lupço Shvrgovski, avokat i Grujovskit
“Po presim të arrijë vendimi të cilin prokuroria duhet tia dorëzojë gjykatës për të vazhduar gjykimi në munges të të akuzuarit. Ne si mbrojtje mendoj se duhet ta përfaqësojmë pasi na ka angazhuar djali i tij. Paraprakisht vetë Grujovski më pati angazhuar mua por meqë tani është i pakapshëm, mbrojtja nuk do të jetë aq efektive”.
PSP dyshon se Goran Grujovski dhe gjashtë të punësuar tjerë në DSK kanë shkatërruar pajisjet e përgjimit dhe dokumentacionin ku figuronin përgjimet e paligjshme, menjëherë pasi kishte filluar publikimi i “bombave” të opozitës së atëhershme.
Ministri i brendshëm ditë më parë tha se policia ka detaje të reja për arratisjen e Grujovskit dhe Boshkovskit por nëse edhe deri më 2 tetor ata nuk gjenden prapa grilave, procesi gjyqësor do të fillojë pa to.
Grujovski dhe Boshkovski u arratisën prej 18 korrikut, pikërisht në periudhën kur Gjykata më e Lartë kishte lejuar ato që të ankohen në vendimin e gjykatës së Apelit për paraburgim. Edhe pse ekspertët e së drejtës tërhiqnin vërejtjen se nuk ka mundësi për ankesë ndaj paraburgimit duke qenë në liri, Gjykata Supreme lejoi Grujovskin dhe Boshkovskin të dorëzojnë ankesa.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

