[embedded content]
Herët në mëngjes, nën sigurim të shtuar policor dhe kontroll nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, filloi distribuimi i materialit konfidencial dhe materialit shtesë për referendumin që do të mbahet të dielën. Siç thonë nga KSHZ-ja, deri në fund të ditës fletëvotimet do të arrijnë në çdo Komision Komunal Zgjedhor.
“Jemi të kënaqur nga ajo që kemi bërë. Punët kanë ecur mirë që nga periudha përgatitore. Përgatitësi ka respektuar gjithçka që kemi kërkuar paraprakisht si material”, tha Olliver Derkovski, Kryetar i KSHZ-së.
Nga Shtypshkronja e Manastirit “Kiro Dandaro”, thonë se janë zbatuar të gjitha procedurat dhe puna ka mbaruar deri në fund. Karakteristike për këto fletëvotime është se ato janë shtypur me cilësi të lartë dhe se janë më të mbrojtura deri më tani.
“Fletëvotimet janë shtypur me cilësi të lartë. Kemi rreth 20 masa mbrojtëse dhe nuk ka mundësi që të kopjohen apo falsifikohen. Përveç materialit konfidencial, shtypshkronja jonë e ka përgatitur edhe materialin jokonfidencial”, u shpreh Dragi Milloshevski, drejtor i “KIRO DANDARO”.
Nga KSHZ-ja thonë se materiali për vendet më të largëta në diasporë është dërguar dje, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet sot. Gjatë distribuimit të materialit kanë ndihmuar edhe ekipet e Postave të Maqedonisë. Në 33 përfaqësi diplomatike dhe konsullore do të votojnë gjithsej 2.695 persona. Të dielën do të votohet në 3.480 vendvotime, kurse sipas Listës Zgjedhore të drejtë vote kanë 1.806.336 votues.
Përgatiti: Jovica Paunoski
[embedded content]

