Nga një retorikë kombëtare patrotike drejt një fushate multi etnike. Nga fjalimet e Ali Ahmetit me motive të luftës së UÇK-së deri te fjalimet qëndrore nga Zoran Zaev që thërret të votohen djemt më të mirë të BDI-së. Ky është rrugëtimi i BDI-së, partisë së Ali Ahmetit i cili nga një cikël zgjedhor në tjetrin ka zbutur fjalorin dhe retorikën dukë ndryshuar rrënjësisht nga paraqitjet e tij të para, raporton SHENJA.
Në tubimet e vitit 2008 kur PDSH kishte partner strategjik VMRO-DPMNE-në, Ahmeti ishte kategorik se nuk guxojnë të kenë shqiptarët partner strategjik tek partitë maqedonase.
Ali Ahmeti, kryetar I BDI-së (2008)
“Nuk ka partner strategjik, nuk duam të na përsëritet koha e Millosheviqit me shqiptar të ndershëm, nuk duhet të na përsëritet koha e Cërvenkovskit me shqiptar lojal dhe nuk duam të përsëritet e famshmja tezë e Nikolla Gruevskit, shqiptarë të preferuar”
Në të njëjtën fushatë po në vitin 2008, Ahmeti në çdo tubim thirrej në vlerat e luftës dhe gjakun e dëshmorëve të UÇK-së.
Ali Ahmeti, kryetar I BDI-së (2008) Ali Ahmeti – Kercove
“Afër Grupçinit vendosa lule në përmendoren e një ushtari të UÇK-së I rënë në vitin 2001. Porosia ime ishte për ata njerëz aty, mbani kujdes dhe vëmendje se flamuri shqiptar që valëvitet I lirë në këtë hapsirë është në saje të atij gjaku që në atë vend kishte përmendore”
Madje edhe në zgjedhjet lokale si ato të vitit 2013 ku duhej të flitet për zhvillim lokal, BDI mbante tubimet me flamuj kombëtar dhe me fjalor patriotik.
Ali Ahmeti, kryetar I BDI-së (2013) BDI – Tetove 22.03.2013
“Ne jemi njerëzit që lëmë gjurmë dhe ato gjurmë ngado që ecën çdo shqiptar I sheh sepse janë gjurmë që janë krijuar nga vetë palca e këtij trolli, nga palca e palcës së UÇK-së. Suksese, urime”
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Ahmeti vetë pati deklaruar se kanë platformë kombëtare dhe jo thjeshtë partiake. Ai ishte decid se shqiptarët nuk guxojnë të japin vota për LSDM-në.
Ali Ahmeti, kryetar I BDI-së (2016)
“Nikolla Gruevski kërkon 63 deputet. Zoran Zaevi kërkon votat e shqiptarëve. Asnjëri as tjetri këtë ëndërr mos e shohën”
Por pas gjithë atyre deklaratave dhe thirrjeve patriotike, në fund Ahmeti tha se politika është thjeshtë interes dhe numra. Kështu ai e arsyetoi edhe koalicionin me LSDM-në për të cilin kishte qenë kategorikisht kundër në të kaluarën.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së (2017)
“Ne kemi nënshkruar marrëveshje partneriteti, si në nivel qëndror poashtu edhe në nivel lokal me LSDM-në. Politika është interes, dhe ne jemi të zgjedhur që t’i mbrojmë interesat e bashkësisë të cilës i takojmë”
Pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, Ahmeti nuk është paraqitur në asnjë tubim të kandidatëve të partisë së tij. Në vend të tij tubimet qendrore të kandidatëve të BDI-së i drejton Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
/Arben Zeqiri

