Kanë vazhduar tensionet në Komisionin parlamentar për politikë sociale, në lidhje me ligjin për “Branitellat”. Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska, e cila është edhe propozuese e ligjit, ka insistuar që ky ligj të vendoset në rend dite në seancën e tretë, që u mbajt sot. Por, kryetarja e Komisionit për politikë sociale, Ilire Dauti tha se kjo gjë tashmë nuk është e mundur, pasi sipas rregullore, seanca e komisionit amë për një ligj me procedurë të shkurtuar, thirret dhe fillon menjëherë dhe jo më vonë se 24 orë, ndërsa përfundon në afat prej 3 ditësh që nga fillimi.
Ilire Dauti, kryetare e Komisionit për politikë sociale
“Kanë kaluar të gjitha afatet që të mund të kthehemi, i kemi diskutuar arsyet se pse ka ndodhur situata ashtu si ka ndodhur dhe nga ana tjetër unë para se të zbresë në seancë kam marrë informacion nga shërbimet e Kuvendit se për këtë seancë të sotshme nuk kemi asnjë material tjetër të dorëzuar nga asnjë institucion, me të cilin ne obligohemi që të kemi material shtesë dhe të shtojmë një pikë tjetër të rendit të ditës”.
Bllokimi i ligjit të “Branitellave”, ka bërë që të bllokohet tërësisht edhe puna e komisionit. Deputetja Trençevska nuk lejoi përcaktimin e rendit të ditës pa u plotësuar me ligjin e “Branitellave”, me çka kryetarja Dauti e ndërpreu seancën, duke thënë se ligji është i paranushëm derisa nuk trajton në mënyrë të barabarë të dy palët.
Ilire Dauti, kryetare e Komisionit për politikë sociale
“Ne nuk mund ta përjashtojmë që në vitin 2001 kemi pasur një konflikt të armatosur ku kanë qenë të përfshira dy palë. Në qoftë ka pasur një konflikt të armatosur ku kanë qenë të përfshira dy palë, do të thotë dy palët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. E tëra që bëj unë si kryetare e komisionit është vetëm t’i shërbejë kësaj barazie”.
Kujtojmë se “ligji për Branitellat” është propozuar nga partia opozitare maqedonase, LSDM, ndërsa përkrahet edhe nga prartitë tjera maqedonase në pushtet, gjegjësishtë VMRO-DPMNE dhe Znam, ndërsa i njejti ligj nuk përkrahet nga partitë shqiptare qoftë pozitë apo opozitë. Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini dhe njiherit edhe deputete e Frontit, Ilire Dauti, ka paralajmëruar edhe më herët se nuk do ta vendos në rend dite këtë pikë, për aq kohë sa në këtë ligj nuk përfshihen edhe ish ushtarët e UÇK-së.
Teuta Buçi /SHENJA/