Një 32-vjeçar nga Kërçova është privuar nga liria pasi dyshohet se ka drejtuar automjetin në mënyrë të pakujdesshme, pavarësisht se kishte ndalim aktiv për drejtimin e automjetit të kategorisë B.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 9 shtator 2026, rreth orës 03:10, në rrugën magjistrale Ohër–Kërçovë.
Nëpunësit policorë të NJPB Kërçovë e kanë privuar nga liria D.S. (32), nga Kërçova, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Sipas policisë, 32-vjeçari ka drejtuar një automjet të markës “Volkswagen Golf”, me targa të Kërçovës, dhe në rrethrrotullimin në rrugën “Boris Kidriç” është përplasur në një bordurë betoni, pas çka ka dalë nga rruga.
“Gjatë ndërmarrjes së masave lidhur me aksidentin, është konstatuar se ai e drejtonte automjetin gjatë kohës së ndalimit aktiv për drejtimin e automjetit të kategorisë B. Ai ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Me urdhër të prokurorit publik, automjeti është konfiskuar. Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj 32-vjeçarit do të paraqitet kallëzim përkatës.
The post Ndalohet një person nga Kërçova, drejtonte me ndalim aktiv dhe shkaktoi aksident appeared first on TV-SHENJA.



