Takimi mes studentëve, kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministres së Arsimit, Vesna Janevska, për shujtën studentore, përfundoi pa rezultate konkrete dhe pa një marrëveshje për rritjen e shumës aktuale prej 140 denarësh. Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë propozuar një sistem të ri të subvencionimit përmes vauçerëve digjitalë, sipas modelit që zbatohet në Slloveni. Tashmë u mbetet studentëve të shqyrtojnë propozimin dhe të vendosin nëse do ta pranojnë atë. Megjithatë, pas takimit, përfaqësueset studentore thanë se nuk morën përgjigje konkrete se sa do të jetë rritja e shumës për shujtën studentore.
“Sot nuk morëm propozim konkret apo përgjigje konkrete për iniciativën tonë, për të cilën tashmë një muaj e gjysmë presim përgjigje. Morëm vetëm një zgjidhje sistemore të ndryshme nga ajo që zbatohet aktualisht. Bëhet fjalë për përdorimin e bonove, përkatësisht pajisjen me një vauçer digjital përmes një aplikacioni, i cili më pas do të mund të përdoret në markete, restorante, furra dhe vende të tjera që shesin produkte ushqimore. E gjithë kjo do të realizohej përmes një kodi QR.” – Tha Angella Vasilevska, studente.
“Sa do të jetë rritrja nuk dha përgjigje, nuk kishte një konkluzion më të saktë, ishte thjeshtë një ide”.U shpreh Kaltrina Bytyqi, studente.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë ditës deklaroi se është e bindur se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për shujtën studentore. Ajo tha se me udhëheqësinë e mëparshme studentore ishte arritur marrëveshje për zgjerimin e numrit të përfituesve, por jo për rritjen e shumës së subvencionit. Sipas saj, kërkesa aktuale e studentëve është e re, por ajo pret që edhe për këtë të gjendet një zgjidhje.
“Është e vërtetë se kanë kërkuar rritje. Unë nuk kam thënë se ata nuk kanë kërkuar asnjëherë rritje. Ne kemi pasur marrëveshje me udhëheqësinë e mëparshme që të zgjerojmë numrin e përfituesve, por jo ta rrisim shumën. Në atë moment, kjo ishte më e rëndësishme për ta. Numri i përfituesve është zgjeruar ashtu siç jemi marrë vesh. Tani ata kanë një kërkesë të re. Jam absolutisht e bindur se edhe për këtë kërkesë të re do të gjejmë një zgjidhje dhe mendoj se jemi afër saj”. – Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ndërkohë, opozita kërkon rritjen e menjëhershme të shumës nga 140 në 200 denarë në ditë. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi se partia do të kërkojë përmes amendamenteve që në buxhet të sigurohen rreth 200 milionë denarë shtesë për këtë qëllim. Sipas tij, shuma aktuale nuk mjafton për një shujtë të denjë dhe nuk garanton ushqim të shëndetshëm për studentët
“Kjo është e rëndësishme për disa arsye. Së pari, që fëmijët të mos mbeten të uritur, sepse 140 denarë është një shumë qesharake. Së dyti, ekziston edhe një aspekt tjetër, për të cilin duket se askush nga personat përgjegjës nuk po mendon. Pikërisht gjatë këtyre viteve, por edhe gjatë shkollimit të mesëm, krijohen shprehitë e shëndetshme. Nuk mund t’u jepet thjesht një shumë parash, pa u menduar se çfarë lloj ushqimi konsumojnë studentët, nëse është ushqim i shëndetshëm, ushqim i përpunuar apo ndonjë produkt që mund të blihet me 140 denarë…” – Venko Filipçe, LSDM.
Studentët prej kohësh kërkojnë rritjen e shumës për shujtën studentore, duke theksuar se 140 denarë nuk janë të mjaftueshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve.



