Çarshia e Shkupit e cila ka rendësi të madhe kulturore dhe artistike po ballafaqohet me probleme të shumta. Pamjet që i shihni flasin për gjendjen aktuale të saj.
Rruga që është e frekuentuar nga shumë njerëz e shpesh edhe nga automjete është e mbytur në baltë. Punimet e nisura në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat kanë mbet në gjysëm e kanë lënë Çarshinë e Shkupit në gjendje të mjerueshme. Qytetarët ankohen për vështirësitë e tyre që kanë gjatë kryerjes së punëve të përditshme. Ata madje thonë se një vendi tërheqës si çarshia po i humbet vlera.
“Askund nuk ka kësi rrugë, as në fshat nuk ka, më vështirë më s’ka, dihet pse nuk punojnë mos të flas më tutje. Këtu është qendër, krejt populli është këtu a është kjo punë? Kanë sjell copa, me copa e kanë shtru”, deklaroi një qytetar.
“Nuk mundet edhe dje ishte kështu, u zhytem shumë me motrën time, nuk e di pse I kanë larguar pllakat ato kanë qenë të bukura”, tha një qytetar tjetër.
Revoltë të madhe tek qytetarët shkakton tentimi për ndryshime të shpeshta në këtë rrugë, largimi I kalldërmave dhe zëvendësimi me material të tjera. Sipas qytetarëve këto janë vetëm manipulime.
“Që dy vite është kështu, i montuan e i thyen, duhet të merren masa të tjera, të stabilizohet që populli të mos vuajë. Si punojnë? Nuk ka organ përgjegjës. Unë jam një pensionist, por kur kemi punuar në punë të shtetit vinte investitori, vinte organi përgjegjës e shifte punën si është punuar, e tash ato gjëra kanë humbur”, tha një qytetar.
“Rrugën po e shihni vetë, njëhere shtruan me pllaka të betoni,a tash me asfalt. Paratë që i kanë vjedh këtu, asgjë tjetër. Më mire ka qenë a këtu hiç asgjë nuk kanë bërë”, u shpreh një qytetar.
Balta e krijuar po ju shkakton probleme edhe shitësve të cilët nuk mund ta kryejnë punën siç duhet, sepse malli që e kanë po ju ndotet gjatë tërë kohës. Prapa kamera ata shprehin ankesat e tyre, por para kamerës nuk flasin, pasi thonë se do të kenë më shumë problem nëse shprehen publikishut.
Medina Ajeti /SHENJA/

