“Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski për mospërfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është një provokim absolut”, kështu thotë lideri i GERB-it, Bojko Borisov. Kryetari i partisë që ka më shumë vende në parlamentin bullgar sot duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se si e komenton deklaratën e Mickoskit, si provokim apo provë për qeverinë e re në Bullgari, u përgjigj shkurtimisht duke thënë se ky është “Një provokim absolut dhe thjesht nuk duhet t’i kushtohet vëmendje. Ministria e Punëve të Jashtme reagoi mire”, tha ai.
Ndryshe nga komenti i shkurtër i Borisovit, lideri i partisë Ka një popull të tillë (ITN), Sllavi Trifonov, i cili është pjesë e shumicës qeverisëse në Bullgari tha se këta njerëz ma kanë sjellë në majë të hundës me veprimet e tyre.
SLLAVI TRIFONOV,KRYETAR I ITN-SË
“Ky Mickoski është zgjedhur në mënyrë demokratike. Më kujtohet mirë se si gjatë zgjedhjeve e gjithë fushata e tij bazohej në urrejtjen ndaj bullgarëve. Kjo është arsyeja pse ata e zgjodhën atë. Dhe kështu flet tani për shkak të atyre që e kanë zgjedhur”.
Ai kërcënoi se Mickoski dhe të gjithë ata që ai I udhëheq do ta shohin Bashkimin Europian përmes një makaronëje të shtrembëruar.
Mickoski pat deklaruar se “çështja thelbësore është pse në këtë vend, ku janë rreth 700-800 bullgarë që deklarojnë se gjuha e tyre amtare është bullgarishtja, duhet të përfshihet në Kushtetutë, ndërsa Shqipëria me tetë mijë bullgarë, sipas shifrave të regjistrimit, nuk e ka atë kusht”.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Mickoski, dje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, e cila thekson se çështja e të drejtave të Bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është një mosmarrëveshje bilaterale midis dy shteteve, por është një çështje që ndikon në vlerat dhe standardet themelore evropiane.
Anida Murati /SHENJA/