Mjeku shqiptar Luan Zyka që jeton në Selanik të Greqisë, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale lidhur me protestat e fundit në Tiranë, duke i krahasuar ato me simbolikën e poezisë “Kangët e pakëndueme” të Migjenit.
Sipas Zykës, i cili është edhe kreu i shoqatës së shqiptarëve në Greqim revolta qytetare mund të shihet si një “vullkan i fashitur”, i cili ka grumbulluar për vite me radhë pakënaqësi nga korrupsioni, padrejtësitë, varfëria dhe mungesa e shpresës.
Ai thekson se, njësoj si në vargjet e Migjenit, zëri i qytetarëve ka qenë i heshtur për një kohë të gjatë, por sot po shpërthen në protesta në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Në reagimin e tij, Zyka nënvizon se qytetarët kërkojnë të kenë zë në vendimmarrje dhe të mos jenë më spektatorë të një sistemi që, sipas tij, prej vitesh ka dështuar të garantojë barazi dhe drejtësi.
Reagimi i Luan Zykës:
“Kangët e Pakëndueme” të Migjenit dhe protesta popullore në Tiranë
Migjeni, në poezinë e tij “Kangët e pakëndueme”, shkruan për vullkanin e fashitur në heshtje, që mbledh e mbledh brenda vetes dhimbjen, por edhe energjinë e shpresës për shpërthim.
Këto “kangë” janë zëri i qytetarit, i masës, i popullit, që për një kohë të gjatë hesht, duron, por vjen një çast kur llava që qarkullon në venat e tij shpërthen e derdhet jashtë “në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin…”
Ashtu, si protestat madhështore të rinisë shqiptare në Tiranë dhe në qytetet e Shqipërisë, mund të krahasohen me këtë metaforë migjeniane; – si vullkan i formuar nga një ngjizje e madhe shumëvjeçare korrupsioni, rrumpalle, padrejtësie, arrogance të pushtetit, zhgënjimi, varfërie, i mungesës së shpresës, i largimit të rinjve nga atdheu dhe i braktisjes së Diasporës me karamelen e hidhur “të integrimit” në vendet ku e rrokullisi fati. (Sa tinzare dhe cinike është shprehja e pusht-etarëve dhe lakejve të tyre kur thonë…integrimi i emigrantëve atje ku jetojnë..!!!)
Është llava e zërit qytetar, i cili më së fundi kërkon të shndërrohet në zë publik, të pyetet për fatin e tij të nëpërkëmbur, dhe të vendosë për të tashmen dhe të ardhmen e tij .
Thjesht, ai kërkon të jetë qytetar në një botë demokratike, dhe jo spektator tallavash në një sistem të manipuluar e të deformuar, ku ka 35 vjet që plaçkitet dhe shitet pasuria, ëndrra dhe fati i tij…
“Duam shtet, dhe jo pushtet” – është një nga thirrjet e protestuesve.
Një shtet me rregulla, me shanse të barabarta, një shtet me natyrë modeste dhe jo arrogante, një shtet meritokracie dhe jo nepotizmi dhe qokash partiake…
Vargjet e Migjenit
“e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun”
janë profetike për ditët që po jetojmë, ku në sheshet e Tiranës dhe, kudo ku ka shqiptarë, nuk dëgjohen vetëm thirrje proteste; dëgjohen kangët e pakëndueme të një populli që kërkon të mos jetë më shikues i fatit të vet mortor…
Është koha të dëgjohen “kangët e pakndueme”, përndryshe, ashtu si po e shikojmë llavën e revoltës popullore, dikujt apo disave do u “dëgjohet këngα e turpit…”
Apo,
“ndoshta shekujt me ne prapë po tallen ?”,
siç shkruan Migjeni…


