Pas shumë vitesh, shqiptarët për herë të parë po mendojnë dy herë nëse ia vlen të shkojnë në Kosovë për një drekë apo për të vizituar familjarët dhe miqtë, vlerëson partia BDI. Sipas tyre, pritjet e gjata dhe të papranueshme në pikën kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë krijuar një pengesë të madhe në lëvizjen e lirë të njerëzve.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Shkupi dhe Prishtina, dy kryeqytetet më të afërtat në rajon me një udhëtim prej më pak se një ore, tani janë bërë të paarritshme. Është e qartë se pas kësaj situate ka një plan për të ngadalësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy anëve të kufirit dhe siç duket vonesat jane te qellimshme dhe kane për qellim dekurajimin e lidhjeve te forta e te ngushta mes dy shteteve, posaçërisht te shqiptareve”
“Dhe më e dhimbshmja, partitë me 1% mbështetje janë bërë bashkëpunëtorë të kësaj politike”, vlerëson BDI, ndërsa thekson se e gjithë kjo duket si një përpjekje për të zbatuar ndikimin e “botës serbe”, që tashmë ka kapluar këtë qeveri.
E ndërkohë, kreu i Qeverisë Hristijan Mickoski ka deklaruar se pala maqedonase pothuajse ka përfuanduar obligimin e saj për zbatimin e projektit “one stop shop”, në pikën kufitare të Bllacës, e cila mundëson kontrollimin e qytetarëve vetëm në njërën palë kufitare. Ai ka deklaruar se shpreson se çështja të ecë përpara edhe në palën kosovare pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare atje. Mickoski ka komentuar edhe rrugën Shkup-Bllacë, duke theksuar se projekti i ri është në procedurë të tenderimit. “Neve na konvenon si shtet, sepse tre herë më shumë qytetarë të Kosovës hyjnë në Maqedoni, sesa qytetarë të Maqedonisë që hyjnë në Kosovë”, ka deklaruar Mickoski.
/SHENJA/