Bashkia e Tiranës ka nisur një aksion në terren kundër reklamave dhe ekspozimit të elementeve të agjencive funerale në zonat e banuara.
Kontrollet kanë nisur pas ankesave të qytetarëve, të cilët kanë shprehur shqetësim për reklamat në fasada, objektet e ekspozuara jashtë ambienteve të agjencive, si dhe automjetet e parkuara pranë tyre.
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, ka nisur kontrollet fillimisht në Njësinë Administrative nr. 5, ndërsa aksioni do të shtrihet edhe në zona të tjera të Tiranës.
Sipas Bashkisë, subjekteve u ishte lënë një afat gjashtëmujor për të përshtatur aktivitetin me rregullat dhe kërkesat e përcaktuara.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Besmir Nela, tha se qëllimi i kontrolleve është që elementet e lidhura me aktivitetin funerale të mos ekspozohen në fasada apo në vende të dukshme, veçanërisht në zonat e banuara.
“U bëjmë thirrje bizneseve të bashkëpunojnë dhe të respektojnë rregullat, në mënyrë që të shmangen shqetësimet për banorët”, është shprehur Nela.
The post Bashkia e Tiranës aksion kundër reklamave të agjencive funerale appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



