Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon transparencë të plotë nga qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me aktivitetet dhe përgjegjësinë e agjencisë së sigurimit “Rubikon” në natën tragjike në Koçan. Albana Mustafa nga BDI thotë se kjo agjenci, e afërt me partinë në pushtet, ishte përgjegjëse për sigurinë e kabaresë në Koçan natën kur ndodhi tragjedia që mori 59 jetë të pafajshme. Ndaj dhe për shumë shkaqe, ajo thotë se qeveria ka për detyrë t’i japë publikut përgjigje të qarta se a po mbrohet kjo kompani për shkak të lidhjeve të saj me pushtetin, në vend që ta përdorë drejtësinë për të goditur kundërshtarët politikë.
Albana Mustafa, BDI
“A po mbrohet kjo kompani për shkak të lidhjeve të saj me pushtetin? Në vend që ta përdorë drejtësinë për të goditur kundërshtarët politikë, qeveria duhet të japë llogari për dështimet e saj dhe për ata që vërtet mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi. BDI kërkon një hetim të plotë, të paanshëm dhe të drejtë për këtë rast, si dhe përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë lejuar një situatë të tillë të ndodhë. Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo lojëra politike dhe mbulim të skandaleve”.
Për këtë çështje ka reaguar edhe nënkryetari i LSDM-së, Metodija Ilievski. Ai thotë se tragjedia në Koçan ka zbuluar mangësitë e institucioneve si dhe rrënimin e sistemit të sigurisë. Prandaj sipas Ilievskit, duhet llogaridhënie, sidomos në krye të Ministrisë së Brendshme dhe Byrosë së Sigurisë Publike, pa selektivitet dhe pa tentativa për të anashkaluar ata që kanë përgjegjësinë më të madhe.
Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së
“Diçka nuk shkon me sigurinë në vend dhe po mbahet në heshtje. Duhet të ketë përgjegjësi ligjore, por edhe përgjegjësi morale. Pas tragjedisë katastrofike në Koçan vazhduan një sërë incidentesh të sigurisë. Dhe kjo: të shtënat me armë zjarri, vrasjet, aksidentet në komunikacion, përdhosjet e njerëzve në rrugë, janë përditshmëria jonë. Sistemi i sigurisë ka dështuar plotësisht. Parandalimi, që është përgjegjësi direkte e MPB-së dhe Pançe Toshkovskit, ka dështuar. Kontrollet janë zhdukur”.
Prandaj, si shkak-pasojë e të gjithave ngjarjeve të ndodhura së fundmi, ai thotë se LSDM kërkon dorëheqje dhe përgjegjësi nga kryesia e MPB-së në krye me Pançe Toshkovskin.
Anida Murati /SHENJA/