Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë, në Republikën e Turqisë, ku mbajti fjalim në panelin me titull “Sfidat dhe mundësitë në Ballkan”, kushtuar zhvillimeve më të fundit gjeopolitike në Ballkan, sfidave specifike dhe zgjidhjet e mundshme për stabilitet dhe paqe të garantuar në rajon. Duke iu referuar situatës në rajon, Osmani tha se ajo edhe më tej vazhdon të jetë e cenueshme me çështje komplekse dhe se zhgënjimet e krijuara në rajon kanalizohen dhe përdoren shumë lehtë nga aktorët e tretë, dhe ato frustrime nuk janë fiktive, por shumë reale dhe të bazuara në pritjen e gjatë për të mundësuar të drejtën më elementare për reforma dhe progres që do të pasonte me hapjen e kapitujve për vendet e Ballkanit Perëndimor.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Është koha për veprim të shpejtë dhe vendimtar. Ajo që pret Ballkani është të ndërmerren hapa të guximshëm dhe të përcaktohet rruga e qartë për zgjerimin e ardhshëm dhe vizion afatmesëm për rajonin tonë për të arritur qëllimin përfundimtar anëtarësimin e plotë të vendeve të BP në Union dhe një qasje tjetër duhet gjetur me mundësimin e KE-së për të vendosur me shumicë votash për hapjen e kapitujve, gjë që do të inkurajojë procesin e reformave për vendet që do të anëtarësohen në BE dhe votimi konsensual që do të përdoret për mbylljen e kapitujve”.
Osmani theksoi se Plani i Zhvillimit është një hap shumë i mirë në këtë drejtim, duke hapur dyert për rritjen e ndihmës financiare dhe integrimin progresiv në bazë të meritës, por Komisioni Evropian siç tha ai duhet të përpiqet për miratimin e tij, sepse nëse dështon atëherë do të shkaktojë zhgënjim të madh dhe për më tepër do të kontribuojë në humbjen e besueshmërisë së Unionit.
Osmani gjatë qëndrimit në Turqi është takuar edhe me presidentin Rexhep Taip Erdogan, për të cilin tha se kishin pasur një takim të shkurtë por shumë të ngrohtë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/