Vazhdojnë taktizimet në lidhje me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë për punësimet në sektorin publik. Edhe pse me muaj po thuhet se ligji është gati, vetëm pritet që të prezantohet, dokumenti i njohur si “balancuesi” ende nuk është dorëzuar në qeveri dhe as nuk janë shpalosur detaje se çfarë do të përmbajë. Ditë më parë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, por edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thanë se ligji është gati, organet kompetente për ligjin nuk e pohojnë të njëtën.
Nga Ministria e Administratës thanë për TV Shenja se, grupet punuese janë në kuadër të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe ato janë kompetente për afatet kohore.
Ministria e Administratës Publike
“Ligji i ri duhet të jetë ligjërisht i qëndrueshëm, i cili nuk do t’i nënshtrohet procedimeve të mëtejshme në Gjykatën Kushtetuese. Zgjidhja duhet të jetë në përputhje me praktikat evropiane dhe do t’i dorëzohet Komisionit të Venedikut për shqyrtim dhe mendim. Qëllimi kryesor i ligjit është të sigurojë qasje të barabartë në vendet e punës në sektorin publik për të gjithë qytetarët, bazuar në cilësinë, ekspertizën dhe nevojat e institucioneve”.
Ndërkaq, nga Qeveria nuk janë përgjigjur se kur do të jetë gati propozim-ligji, por thanë se, ligji duhet të jetë cilësor dhe të sigurojë përfaqësim të drejtë dhe profesionalizim të sektorit publik.
Qeveria e RMV-së
“Me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë, është në rrjedh e sipër përgaditja e Ligjit për përfaqësim të drejt i cili ka për qëllim të jetë në përputhje me Kushtetutën, për çka do të kërkojmë mendim paraprak nga Komisioni i Venedikut. Në përgatitjen e zgjdhjes ligjore po punon një grup punues i cili përbëhet nga ekspertë dhe profesor. Sapo të ketë një zgjidhje cilësore, për të njëjtën do të informojmë në kohë opinionin”.
Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit të kaluar, shfuqizoi disa dispozita të ligjit për përfaqësim të drejtë gjatë punësimeve në administratën shtetërore, pas disa iniciativave të dorëzuara për keqpërdorim të mekanizmit të balancuesit. Teuta Buçi /SHENJA/