Marrëveshja është xhentëllmene e cila ka buruar nga realiteti, nga dëshira e votuesve që doli nga verdikti i popullit më 15 tetor. Ky është vlerësimi i nënkryetarit të Aleancës për shqiptarët, Elmi Aziri, në emisionin ‘Studio e hapur’ në TV SHNEJA. Ai shtoi se bazuar në marrëveshjen, të dy subjektet do ta mbështesin njëra tjetrën në tërë territorin e Maqedonisë në raundi e dytë të zgjedhjeve lokale më 29 tetor.
“Marrëveshja parasheh mbështetje reciproke të kandidaturave të partive gjegjëse që garojnë në raundin e dytë. Mbi bazën e kësaj marrëveshje mbetet obligimi që ne si subjekte t’i japim mbështetje kandidaturave të partive gjegjëse në raundin e dytë gjithandej Maqedonisë”, deklaroi Elmi Aziri, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Duke komentuar mbi marrëveshjen e arritur mes BESËS dhe Aleancës, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, tha se së shpejti do të përpilohet edhe dokumenti i marrëveshjes, por më e rëndësishmja sipas tij është arritja e kësaj marrëveshje për mbështetjen e ndërsjellë.
“Sot duheshte që në formë publike si shefa të shtabeve zgjedhore ta bëjmë atë pjesën ceremoniale të lidhjes së marrëveshjes sonë, ndërsa sot do të fillojë edhe procesi i përpilimit të një dokumenti, ai do të qarkullojë mes dy subjekteve dhe kur do të jetë gati, ai do të publikohet. Në këtë fazë menduam se është mirë sa më shpejtë të dalim dhe t’u bëjmë ftesë aktivistëve tanë, simpatizantëve tanë, votuesve, që ata të dalin, të jenë aktiv në terren në komunat përkatëse ku ne do të ndihmojmë reciprokisht njëra tjetrën, që mos të humbim aspak kohë. Ndërsa ajo pjesë formale do të mbetet që të harmonizohet deri në detaje”, tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
Gashi shtoi se takimi i dy shefave të shtabeve vijon pas takimit të djeshëm të liderëve të BESËS dhe Aleancës.

