Arben Taravari, sot zyrtarisht e ul në karrigen e kryetarit të Komunës së Gostivarit. Qytetarë të shumtë kishin dalë për të pritur dhe uruar kryetarin e ri, i cili u zgjodh në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 29 tetor. Taravari para objektit të komunës u ndal për të përshëndetur qytetarët dhe i falënderoi që zgjodhën atë për t’i udhëhequr gjatë mandatit 4 vjeçar. Fillimisht u ndanë çertifikatat për këshilltarët e ri komunal, të cilët u zgjodhën më 15 tetor. Komuna e Gostivarit përbëhet prej gjithsej 31 këshilltarësh edhe atë koalicioni Aleanca për Shqiptarët 2, BDI 9, Lëvizja për Unitetin Kombëtar të Turqve 1, Aleancës për Shqiptarët 7, Partia Demokratike e Turqëve 2, VMRO-DPMNE 4, Lëvizja BESA 2 dhe LSDM 4. Pas marrjes së certifikatës, Arben Taravari mori fjalën dhe premtoi se që sot në Gostivar nuk do të ekzistojë më ndasi në bazë të përkatësisë politike dhe etnike. Ai gjithashtu theksoi se tashmë fushata ka përfunduar dhe se ata i presin shumë punë.
”Unë shpresoj dhe mendoj se duhet bashkë të gjithë këshilltarët me mua të nisim punës, të tregojmë rezultate, sepse qytetarët pas 1,2 dhe 4 vitesh presin rezultate prej nesh. Me plot përgjegjësi e them, se brenda komunës nuk ka më përkatësi partiake , nuk ka përkatësi etnike. Ka vetëm punë dhe rezultate. Un nuk dyshoj se këtë çdokush prej jush si këshilltar dhe çdo i punësuar në komunë do të jep maksimumin e vet për të mirën e Gostivarit”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.
Pranim-dorëzimi i mandatit u bë edhe në Komunën e Bogovinës. Ushtruesja e detyrës për kryetare të komunës së Bogovinës, Lumturije Iljazi, ia ndau certifikatën kryetarit të ri Albon Xhemailit. Ky i fundit falënderoi ushtruesen e detyrës për mikpritjen dhe premtoi se do të punojnë shumë për këtë komunë.
” Të jenë të bindur dhe të sigurt se do të jem kryetar për të gjithë banorët e komunës së Bogovinës. Përpara na pret një punë e madhe e palodhshme nga ku duhet të respektohet programi jonë dhe të jemi të përpiktë. Do të largojmë komplet politikën nga administrata dhe nga shkolla qëllimi dhe lufta ime ka qenë kjo”, tha Albon Xhemaili, kryetar i komunës së Bogovinës.
Në anën tjetër edhe ushtruesja e deritanishme e detyrës të kësaj komune Lumturie Iljazi, kryetarit të ri i dëshiroi suksese dhe punë të mbarë gjatë qeverisjes në këtë komunë.
Emine Ismaili /SHENJA/

