Kryefjala e politikës tonë është transparenca ndaj qytetarëve. Kështu tha Bekim Afuzi nga “Aleanca për shqiptarët” në emisionin “Studio e hapur”. Ai tha se planprogrami i tyre parashikon që në çdo tre muaj të mbahen konferenca për shtyp rreth projekteve që kanë bërë gjatë asaj periudhe dhe që do të bëhen në të ardhmen.
“Në arsim do të fillojmë me depolitizimin e arsimit. Aty do të vije në shprehje cilësia dhe kualiteti. Në komunë të Likovës arsimi është i politizuar deri në fund”, tha Afuzi.
Ai shtoi se në komunën e Likovës, ata kanë probleme me ujin e pijshëm ndërsa për këtë akuzoi BDI-në, të cilët sipas tij kanë pasur tre mandate për ta zgjidhur këtë problem dhe nuk e kanë bërë.
“Pikësynimi jonë është që atë që e kanë nisur ata, ta mbarojmë për një kohë shumë të shkurtë. Gjatë mandatit tonë, katër vjeçar. Projekti i tretë është kanalizimi. Këta kanë filluar të bëjnë diçka, por edhe aty i kanë ndarë njerëzit, këta janë tonët, këta nuk janë”, deklaroi në emisionin “Studio e hapur”, Bekim Afuzi, kandidat i Aleancës për Shqiptarët për Komunën e Likovës, duke shtuar se gjatë mandatit të tyre katër vjeçar do të përfundojë projekti i kanalizimit.

