Kryeredaktorja e të përjavshmes hulumtuese politike në Serbi, “Radar”, Vesna Malishiq, ka thënë se disa nga kolegët e saj gazetarë kanë njohur shumë persona nga mjedisi kriminal në Parkun “Pionirski” në Beograd, ku janë mbledhur grupe njerëzish “në mbrojtje” të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, i cili po përballet me protesta të shumta tash e një kohë të gjatë.
Në një bisedë për median serbe N1, ajo tha se kolegët e saj nga “Radar” kanë hasur në “informacion se një grup që ka marrë pjesë në organizimin e Banjskës ka ardhur nga Kosova”.
Në Banjskë, shtatorin e vitit 2023, Millan Radoiçiq, atëherë nënkryetar i partisë së serbëve të Kosovës, Lista Serbe, organizoi një sulm terrorist në veri të vendit, duke lënë të vdekur tashmë heroin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim zjarri mes forcave speciale policore të Kosovës dhe atyre, katër persona nga grupi terrorist mbetën të vdekur.
Veprimet e organeve të drejtësisë bënë që rreth 10 persona të arrestohen më pas nga ky grup, kurse një pjesë e tyre, bashkë me liderin e tyre Radoiçiq, arritën të largoheshin për në Serbi, ku edhe vazhdojnë të jetojnë të papenguar.
E Malishiq tha se protestën e paralajmëruar për 15 mars nga studentët serbë, Vuçiqi do të tentojë ta kthejë në protestë të dhunshme.
“Alleksandar Vuçiq po përgatitet për skenarë të ndryshëm sepse dëshiron të tregojë se protestat, të cilat absolutisht kurrë nuk kanë qenë të dhunshme, do të jenë të dhunshme. Gjithçka që ndodh do të drejtohet nga dora që do që protesta të jetë e dhunshme. Kjo tregon se qeveria është e pasigurt. E gjithë Serbia është ngritur dhe është e pabesueshme që qeveria nuk e dëgjon këtë mesazh që vjen as nga fshati i fundit i Serbisë. Është gjithashtu e frikshme që ata mendojnë se mund të krijojnë me forcë e me kriminelë një atmosferë në favor të tyre. Por askush nuk ka arritur rezultat në aksidente, e as kjo qeveri nuk do t’ia dalë”, tha Malishiq.
Ajo ka theksuar gjithashtu se Vuçiq ka paralajmëruar se gjithçka do të përfundojë më 15 mars, por studentët kanë thënë se “do të përfundojë kur ata thonë se është fundi”.
“Kam përshtypjen se qytetarët dhe studentët nuk do të heqin dorë që të bëjnë diçka për Serbinë me dëshirën për t’u bërë një vend normal, gjë që nuk është e mundur me këtë qeverisje”, ka përfunduar Vesna Malishiq, kryeredaktore e të përjavshmes “Radar”..