Koalicioni VLEN të mërkurën konfirmoi kandidatët për tre pozitat ministrore që do t’i marrë në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, duke emëruar profesorin universitar Jeton Shasivari për ministër të Drejtësisë, Agon Feratin për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Sedat Sulejmanin për ministër të Kulturës dhe Turizmit – të tre nga Tetova. Së bashku me ministrin e Ekonomisë, Besar Durmishi, numri i ministrave të VLEN-it arrin në katër.
Me këto zgjidhje kadrovike, VLEN e përmbyll ndarjen e resorëve të dakorduar në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, i cili vjen pas ndryshimeve në shumicën qeverisëse.
Në përbërjen e re qeveritare, funksionet e tyre do të vazhdojnë t’i ushtrojnë Bekim Sali si zëvendëskryeministër i parë dhe Muhamet Hoxha si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
“VLEN vazhdon me vendosmëri në rrugën e ndryshimeve, duke sjellë energji të re, kuadro profesioniste dhe një qasje të përgjegjshme në qeverisje. Me këtë ekip, ne edhe një herë konfirmojmë përkushtimin tonë ndaj reformave, zhvillimit dhe përfaqësimit dinjitoz të interesave të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e koalicionit.
Me rikonstruimin, Jeton Shasivari do ta pasojë Igor Filkovin nga ZNAM në postin e ministrit të Drejtësisë, Sedat Sulejmani do ta zëvendësojë Zoran Ljutkovin nga VMRO-DPMNE në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa Agon Ferati do ta marrë drejtimin e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive nga Ivan Stoilkoviqi i Partisë Demokratike të Serbëve.
Rikonstruimi i Qeverisë pritet të formalizohet në Kuvend gjatë ditëve në vijim, duke shënuar ndryshimin e parë më të madh kadrovik në qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski.


