Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për kërkesën e kryebashkiakut Erjon Veliaj dhe avokatëve të tij, që lidhej me transmetimin live të seancave gjyqësore për publikun.
Pas dëgjimit të palëve dhe kërkesave, mësohet se GJKKO e ka rrëzuar kërkesën e Veliajt për seanca live.
Kurse avokati Plarent Ndreca ka kërkuar skanimin e fashikujve hetimorë.
“Veliaj të nxirret nga kafazi i gjykatës. Nuk dihet se si hynë kallëzimet anonime në dosje dhe institucion”, ka thënë ai mes të tjerash.
Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar mes debateve të forta mbi transparencën e procesit dhe kushtet e zhvillimit të tij.
U lexua edhe kërkesa e Veliajt drejtuar gjykatës, ku ai kërkon që seancat të transmetohen drejtpërdrejt për publikun. Sipas tij, kjo do t’i japë mundësi qytetarëve të ndjekin nga afër ecurinë e procesit gjyqësor.
Megjithatë, kamerat nuk u lejuan në sallë këtë të hënë, pasi një nga të pandehurit, Elman Abule, nuk dha pëlqimin për t’u filmuar.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se organi i akuzës nuk ka kundërshtim në parim për transmetimin live, por theksoi se një praktikë e tillë mund të cenojë procesin hetimor dhe gjyqësor.
Ai nënvizoi se në çështjet penale, sidomos kur përfshihen dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të drejtësisë, transmetimi live nuk lejohet, duke shtuar se një praktikë e tillë nuk aplikohet as në vendet e rajonit, në Evropë apo në gjykatat federale në SHBA. Sipas tij, mund të lejohen vetëm pamje të kufizuara filmike, pa ekspozuar dëshmitarët.
Gjatë seancës pati edhe replika mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit Plarent Ndreca. Në një moment, Dado i kërkoi avokatit të presë fjalën e prokurorisë, ndërsa Dumani akuzoi mbrojtjen se prej dy muajsh po paraqet kërkesa të përsëritura dhe artificiale me qëllim zvarritjen e procesit gjyqësor.
Në përfundim, gjykata rrëzoi kërkesën e Veliajt për transmetimin live të seancave.
Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca ngriti shqetësime mbi mënyrën e administrimit të kallëzimeve anonime, duke përmendur rastet e Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Ai kërkoi gjithashtu që Veliaj të mos mbahet në kafazin e xhamit gjatë gjykimit, duke argumentuar se kjo cenon barazinë në proces dhe duke sjellë si shembull Gjykatën Kushtetuese, ku sipas tij nuk ka pasur probleme të tilla.
Ndreca shtoi se në dosjen hetimore përfshihen përgjime që mbrojtja nuk i ka dëgjuar drejtpërdrejt, por vetëm përmes procesverbaleve, të cilat sipas tij janë interpretime. Ai kërkoi që të skanohen të gjithë fashikujt hetimorë dhe të sqarohet nga SPAK mënyra se si janë administruar kallëzimet, nëse përmes postës apo emailit.
Në përgjigje, prokurori Ols Dado deklaroi se mbajtja e të pandehurit në strukturën e xhamit nuk përbën problem, duke theksuar se nuk është “kafaz”, por një ambient që lejon komunikimin. Ai shtoi se kushtet në Gjykatën e Posaçme janë shumë të mira.


