Qeveria e re hungareze njoftoi se do të rishikojë aplikimin e kredisë 16 miliardë euro për sektorin e mbrojtjes nga Komisioni Europian për shkak të rreziqeve të korrupsionit. Lajmi është bërë publik nga Euronews, i cili citon burime nga partia e kryeministrit të sapozgjedhur Magyar.
“Ne do ta shqyrtojmë në mënyrë kritike listën e paraqitur nga qeveria në largim dhe do të marrim vendime bazuar në nevojat reale dhe një vlerësim të rreziqeve të korrupsionit”, tha një burim brenda Partisë Tisza për Euronews në kushte anonimiteti.
Sipas Euronews rreziqet e korrupsionit të përmendura kuptohen se lidhen me interesat industriale hungareze me lidhje me qeverinë në largim të Viktor Orbán. Dhe kompania kryesore që përfaqëson këto interesa është 4iG, e cila në Hungari konsiderohet si një nga shtyllat e korrupsionit të qeverisë së Orban.
Kredia
Vitin e kaluar Komisioni Europian lançoi një skemë qindra miliardë euro për të mbështetur shpenzimet e mbrojtjes të vendeve anëtare. Paketa e financimeve bazohej në kredi me interesa të buta dhe ish qeveria e Viktor Orban aplikoi për 16 miliardë euro. Por pas lançimit të skemës një pjesë e madhe e industrisë hungareze të mbrojtjes u privatizua nga 4iG, përmes disa procedurave që tashmë janë nën hetim për korrupsion. Sipas mediave hungareze, pjesën më të madhe të këtyre fondeve do ta përfitonte pikërisht kompania 4iG.
Bllokimi i kredisë nga qeveria e Magyar dyshohet se lidhet kryesisht me 4iG, e cilësuar si kompania e oborrit të Orban. Për shkak të këtyre zhvillimeve, kontroll.hu, një media e afërt me partinë e kryeministrit Magyar, shkruan se 4iG mund të shkojë drejt falimentimit.
Rreziqe për ONE Albania
4iG është kompania mëmë, e cila zotëron One Albania, një nga dy aktorët e oligopolit celular në Shqipëri. Tronditjet financiare të 4iG pritet të kenë pasoja serioze mbi One.
Të dhënat nga bilanci i kompanisë celulare tregojnë varësi të lartë financimi nga mëma e saj 4iG. Sipas të dhënave nga bilanci, në fund të vitit 2024 One Albania kishte rreth 9.1 miliarde lekë ose mbi 96 milionë euro hua të marra nga grupi mëmë.


