31 Janar
Komisioni i formuar nga ana e ministrisë së Shëndetësisë për shqyrtimin e vdekjes së lehonës 31 vjeçare në spitalin privat “Sante Plus” ende nuk ka përfunduar shqyrtimin e rastit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce tha se në bazë të rezultateve të fundit që ky Komision do t’i nxjerr në pah, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme.
Komisioni i formuar nga ana e ministrisë ende nuk e ka përfunduar punën, pasi presin të mbërrijnë disa rezultate nga shqyrtimet e bëra. Por ju garantoj se do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm kur do t’i marrim të gjitha informacionet mbi rastin – tha Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.
Në konferencë për media ai nuk kishte përgjigje se kur dhe ku do të ndërtohet objekti i ri i shumëpërfolur i Qendrës Klinike.
Para dy javësh këtu ishin prezent përfaqësues nga Banka e Këshillit të Evropës e cila pjesërisht e financon ndërtimin e Qendrës Klinike. Ata bënë prezantim përpara kabinetit Qeveritar para të gjithë ministrave dhe shumë shpejtë presim të sjellim vendim lidhur me informacionet që i dëgjuam prej tyre. Ata prezantuan të dhëna lidhur me projektin dhe të dhëna nga analiza, nëse projekti do të shpërngulet në ndonjë vend tjetër. Nga gjithë ajo që dëgjuam, shumë shpejt do të sjellim vendim mbi atë se ku dhe kur do të fillojë ndërtimi i Qendrës Klinike – u shpreh Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.
Këto informacione kreu i dikasterit të Shëndetësisë i shpalosi gjatë shënimit të javës Evropiane për ngritjen e vetëdijes për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës, ku potencoi se deri në fund të këtij viti do të dihet nëse Maqedonia do të bëhet pjesë e projektit për donacion të vaksinave nëntevalente kundër HPV-së. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik brenda një viti në Maqedoni ndërrojnë jetë rreth 35 gra nga kanceri i qafës së mitrës.
Vjollca Aliti

