31 August
Tre foshnjat nga fshati Dobrosht i Tetovës të cilat ndërruan jetë gjatë javës së kaluar në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetri në Spitalin shtetëror në Shkup, nuk kanë mundur të mbijetojnë si pasojë e komplikimeve të shumta shëndetësore me të cilat është përballur nëna e trinjakëve. Kështu flasin konstatimet e Komisionit për mbikëqyrje të rastit i cili u formua ditën kur foshnjat ndërruan jetë.
Komisioni ka konstatuar se bëhet fjalë për shtatzëni me rrezik të lartë e pasuar me diabet dhe me varshmëri nga insulina, hipertension dhe infektim tek nëna. E gjithë kjo solli deri në lindje të parakohshme, moshë më të vogël se 28 javë dhe peshë prej mbi 1000 gram. Të gjithë këto faktor rreziqesh e rëndojnë mbijetesën e të sapolindurve dhe e zmadhon procedurën e morbiditetit dhe mortalitetit tek të njëjtët- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga ana tjetër VMRO DPMNE ka vazhduar me akuza ndaj ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, duke thënë se vdekjet e foshnjave shkaktohen nga kuadrot jo profesionale të zgjedhura nëpër spitale.
Qytetarët kanë filluar të frikësohen që të shkojnë në Spitale vetë apo t’i dërgojnë familjarët e tyre në rast të ndonjë sëmundjeje. E vetmja zgjidhje për këtë problem është dorëheqja e Taravarit, dorëheqja e tij nuk do i kthejë jetët e humbura por do jetë njëfarë përgjegjësie për tragjeditë të cilat i shohim për çdo ditë. Rastet e vdekjeve nëpër spitale po radhiten, ndërsa bilanci tragjik vazhdon të rritet- tha Dafina Stojanoska, VMRO-DPMNE.
Përmes një komunikate me shkrim kanë reaguar edhe nga LSDM-ja duke theksuar se përgjegjësia për dështimet në sistemin shëndetësor bie mbi ish garniturën qeverisëse të VMRO-DPMNE-së e cila shëndetësinë e shndërroi në biznes partiak.
Qeverisja 11 vjeçare shkatërruese dhe kriminale e VMRO-DPMNE-së e preku edhe sistemin shëndetësor. Përderisa individë nga VMRO-DPMNE u pasuruan me tenderë kriminal, spitalet dhe klinikat ballafaqoheshin me borxhe të larta, mungesë të barnave dhe pajisjeve, të drejtat e pacientëve u nëpërkëmbën, dhe mijëra mjekë në pamundësi për të punuar në kushte të tilla, përgjithmonë e lëshuan shëndetin publik dhe shtetin- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Vdekja e tre foshnjave nga Tetova ndodhi prej para më shumë se një javësh, ndërkaq për këtë tragjedi familjarët akuzuan Klinikën për Gjinekologji në Shkup se e njëjta nuk ka pasur inkubatorë të mjaftueshëm që t’i mbajë foshnjat për një periudhë të caktuar kohore.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në Klinikën e Shkupit ndërruan jetë dy foshnja tjera, njëra e sapo lindur dhe tjetra katër muajsh, për të cilat autoritetet shëndetësore mohuan të kishte pasur gabime mjekësore. Përveç këtyre rasteve gjatë javës së shkuar janë regjistruar edhe disa vdekje tjera të foshnjave, njëra shtatë muajsh nga Struga dhe tjetra dy vjeçe nga Ohri. Viteve të fundit, Maqedonia prek majat e renditjeve në rajon por dhe më gjerë për nga vdekshmëria e bebeve.
Vjollca Aliti

