Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Deçanit, Rifat Stojkaj, ka humbur jetën tragjikisht në një vetaksident trafiku që ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Lloqan.
Policia e Kosovës ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur më 11 maj 2026, rreth orës 01:40, ku ishte e përfshirë një veturë me targa vendore.
Dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal në skaj të saj.
“Nga hetimet fillestare dyshohet se deri te vetaksidenti ka ardhur pasi drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka rënë në një kanal në skaj të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si pasojë e aksidentit, Stojkaj ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur qytetarët e Deçanit, kolegët dhe bashkëpunëtorët, të cilët e kanë kujtuar si një zyrtar të përkushtuar dhe të afërt me qytetarët.


