Opinioni është akoma në pritje të emrit të ri të ministrit të Shëndetësisë, ndërsa partnerët e koalicionit thonë se po thvillojnë negociata për këtë, dhe për vendet e tjera të lira në kabinetin qeveritar. Kryeministri Zoran Zaev thekson rëndësinë e ministrisë së Shëndetësisë dhe thekson se në lidhje me këtë po zhvillon negociata jo vetëm me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët, por edhe me partnerët e koalicionit ‘Për jetë në Maqedoni’.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR
“Unë thash që do të përpiqemi që deri në fund të muajit t’i sjellim vendimet. 10 ditë pasi zyrtarisht zgjedhjet u shpallën si të mbyllura, negociojmë me intensitet. Unë mbrëmë e shfrytëzova rastin që të bisedoj edhe me Ziadin Selën, edhe me Ali Ahmetin. Me partnerët tanë të koalicionit sot kam takim. Çdo moment e shfrytëzoj që sa më shpejtë të zgjedhim edhe ministrin e ri, si dhe të plotësojmë vendin e zbrazët të ministrit për investime të huaja si dhe zv/ministrit i cili u bë kryetar i komunës së Çairit”
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët mbrëmë ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e ka udhëhequr kryetari Ziadin Sela. Në mbledhje u diskutua për aktualitetet e fundit politike, ndërsa informatat e fundit nga kjo parti thonë se edhe LSDM është e interesuar që të merr në menaxhim ministrinë e shëndetësisë. Burime nga Aleanca për Shqiptarët thonë se partia e Selës vështirë se do të heq dorë nga shëndetësia. Në rast se vjen deri tek ndonjë riformatim i Qeverisë, Aleanca për Shqiptarët, si kompensim për Ministrinë e Shëndetësisë, do të kërkonte një ministri të peshës së njëjnë, siç janë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Arsimit apo ajo e Punës dhe Politikës Sociale. Abdulla Berisha /SHENJA/

