Edhe këtë vit shteti do të vazhdojë t’u ndajë vauçerë për pushim punëtorëve me të ardhura të ulëta në kapacitetet turistike vendore, kumtoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Sipas Bekteshit, mbështetja do të arrijë 12.000 denarë për aplikues, ndërsa thirrja publike do të publikohet në gjysmën e parë të vitit. Ndarja e vauçerëve do të jetë sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.
“Vazhdojmë me masën e pushimit të organizuar të punëtorëve me të ardhura të ulëta, të ardhurat mujore të të cilëve për familje nuk e tejkalojnë neto vlerën prej 30.000 denarë. Efektet e vauçerëve vitin e kaluar, gjatë pandemisë dhanë rezultate, veçanërisht për kapacitetet turistike vendore”, tha Bekteshi dhe shtoi se vitin e kaluar ishin shfrytëzuar mbi 65.000 vauçerë.
Për këtë masë këtë vit janë parashikuar gjithsej 15 milion denarë.
Duke u kthyer në programet e Ministrisë për këtë vit, Bekteshi përkujtoi se mbështetja e sektorit turistik-hotelierik ishte përfshirë në të gjitha katër pakot e deritanishme antikrizë.
“Vazhdojmë me mbështetje intensive edhe këtë vit për të cilën, me Programin për zhvillim të turizmit janë parashikuar 31 milion denarë. Me këtë program janë parashikuar masa për promovim të ofertës turistike të shtetit dhe atë: për marketing digjital të potencialit turistik 11,5 milion denarë, subvencione për pajisje dhe mjete për përmirësim të turizmit aktiv, 3,5 milion denarë, subvencione për qëllimet turistike të amvisërive të fshatrave pesë milion, për promovim të zonave ekologjike 1,5 milion dhe për fushatë për udhëtim të sigurt, një milion denarë”, informon për udhëtimin e sigurt.