Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, komentoi në emisionin “Prime News24” çështjen e Belinda Ballukut dhe qëndrimin e SPAK pas dërgimit të dosjes për gjykim. Kalaja kritikoi institucionin e posaçëm, duke thënë se ish-zëvendëskryeministrja duhet të ishte përballur me një masë më të rreptë sigurie, pasi, sipas tij, vijon të ketë ndikim në institucione dhe mundësi për të ndërhyrë në hetim.
“SPAK-un e paguajmë për të bërë drejtësi, jo politikë. Balluku mund të manipulojë provat. Ajo e ka treguar se ka pushtet absolut, jo vetëm mbi Ministrinë e Infrastrukturës, por edhe mbi drejtorin e Policisë dhe një grup ministrash e rreth 19 deputetë të PS-së. Ekziston rreziku i manipulimit të provave. Një tjetër rrezik është intimidimi i dëshmitarëve”, u shpreh Kalaja.
Ai pretendoi se Balluku vijon të ketë ndikim në Ministrinë e Infrastrukturës, ku, sipas tij, edhe për një vend pune kërkohet ende miratimi i saj. Kalaja përmendi gjithashtu mundësinë e arratisjes, duke iu referuar rastit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
“Ka edhe një rrezik për arratisje. Kemi precedentin Ahmetaj, që na thotë se kjo është e mundur. Në momentin që do të nxehet loja, unë besoj se Balluku do të arratiset drejt Greqisë. Ajo i ka gjërat nën kontroll tani, ka mbështetjen e kryeministrit dhe SPAK-u ka ulur qepenat”, deklaroi ai.
Kalaja theksoi se kritika e tij lidhet me qëndrimin aktual të drejtuesve të SPAK-ut dhe jo me të gjithë prokurorët e institucionit. Sipas tij, besueshmëria e strukturës së posaçme është dëmtuar nga mënyra se si po trajtohet çështja e Ballukut.
“Ky SPAK që nuk arreston dot Ballukun, për çfarë na duhet? Është investim amerikan, europian dhe një investim shpirtëror i shqiptarëve që i kanë besuar. Besueshmëria e SPAK-ut është ulur në mënyrë të llahtarshme”, tha Kalaja.
Në vijim, ai ngriti pretendime edhe për ekzistencën e videove që, sipas tij, mund të përdoren për të shantazhuar kryeministrin Edi Rama dhe që do të shpjegonin mbështetjen politike ndaj Ballukut.
“Zonja Balluku ka disa video. Ka punuar ‘me mend’ kur ka bërë ato pisllëqet e veta. Ka video që shantazhojnë drejtpërdrejt kryeministrin. Ato e mbajnë në lojë Ballukun. E di edhe SPAK-u. Ka një marrëdhënie simbioze mes tyre”, pretendoi ai.
Në përfundim, Kalaja tha se, sipas tij, arrestimi i ish-zëvendëskryeministres është kthyer në objekt negociatash politike, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet pse nuk është marrë një masë më e ashpër ndaj saj.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



