13 October
Jovo Vangellovski nuk ka qëndruar në Gjevgjeli për të shpëtuar gjykatësin Vlladimir Pançevski. Kryetari i Supremes në shoqëri të një informaticienti dhe kryetarin e Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski, në gjykatën e Gjevegjelisë kanë kontrolluar sistemin AKMIS për shpërndarje elektronike të lëndëve. Kështu sot njoftuan nga Supremja pasi që në opinion dje u paraqit dyshim se dy të lartpërmendurit kanë shkuar në Gjevgjeli pasi që kjo gjykatë aprovoi bastisje te gjykatësi Vlladimir Pançevski i cili dyshohet për kurdisjen e lëndëve të PSP-së, te gjykatës të cilët kanë qenë të afërt me kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruesvki.
Pas marrjes së raportit nga analiza e funksionimit të sistemit AKMIS do të merren konstatime përkatëse për të cilat opinioni do të jetë i informuar. Lloji i këtillë i vizitave punuese janë planifikuar në periudhën e ardhshme në të gjitha Gjykatat në Republikën e Maqedonisë. Bëhet fjalë për aktivitete të zakonshme në drejtim të përmirësimit të funksionimit të sistemit AKMIS- thuhet në kumtesën e Gjykatës Supreme.
Disa ekspertë juridik të cilët i konsultoi Alsat M nuk kanë vërejtje për kontrollin e Gjykatës në Gjevgjeli. Megjithatë, për disa prej tyre kontestuese është prezenca e kryetarit të Supremes, Jovo Vangelovski. Sipas rregullores gjyqësore, kryetari i gjykatës ka kompetencë për ta organizuar vizitën, por jo të merr pjesë në të me funksion.
Nuk guxon të ketë kurrfarë informata për përmbajtjen e kërkesës apo vendimit, megjithatë ai është gjykatës aktiv, sipas rendit të punëve mund të arrijë të punojë në lëndën konkrete, gjithashtu procedura para hetimore është e fshehtë dhe assesi nuk guxon të ketë qasje në lëndë. Supozoj se edhe kjo shtrohet si çështje kur tashmë është atje, nëse e ka mundësinë të ketë qasje në gjëra ku nuk guxon të ketë- tha avokatja Suzana Joshevska Anastasovska.
Me disa precedenca juridike, kryetari i Supremes, Jovo Vangelovski nga paraburgimi e shpëtoi biznesmenin Sead Koçan, i cili dy muaj ishte në arrati dhe të cilin e kërkonte Interpoli. Me precedence të ngjashme juridike, e mundësuar nga Supremja, me sukses nga vendi u arratis dyshja e policisë sekrete, Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski të cilët janë çelësi i përgjigjes për atë se kush ka përgjuar me vite në vend.
Bojan Stojanovski

