24 October
Eurodeputetët iniciojnë pajtimin dhe dialogun mes qeverisë dhe opozitës në Maqedoni, nëpërmjet një seri takimesh në të cilat do të diskutoheshin tema për të cilat ekzistojnë dallime. Këtë informacion për “360 Gradë” në Alsat-M e konfirmoi raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Ivo Vajgël.
Ai shpjegon se ideja tashmë ishte vënë në tavolinë gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup, së bashku me kolegët Flekenshtajn dhe Kukan, menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë së re.
Ne ramë dakord që do të ofrojmë një mekanizëm, një tribunë/forum që ka në dispozicion Parlamenti Evropian, i cili është procesi i dialogut “Zhan Mone “.Kjo është një mënyrë e provuar për të thirrur udhëheqësit e të gjitha partive parlamentare në shtëpinë e Zhan Monesë afër Parisit dhe përmes bisedës së hapur dhe konstruktive, pa praninë e mediave dhe kamerave, në kontakt të drejtpërdrejtë dhe personal të bëhet përpjekje, për të gjetur gjuhën e përbashkët, jo zgjidhje – sepse ajo është punë e Parlamentit, por një gjuhë të përbashkët, për një qasje sa më të përafërt, për tema paraprakisht të dakorduara- deklaroi Ivo Vajgël, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian.
Plani është që këto takime të fillojnë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër. Ndryshe pas katër muajve të parë të qeverisë së re, vlerësimi i Vajgëllit është se vendi po lëviz në drejtim të duhur. Megjithatë, Vajgëll nuk ishte i sigurte nëse për këtë situatë BE-ja do ta shpërblejë me një datë për fillimin e negociatave. Ai pret një rol më konstruktiv të Greqisë, por edhe ndikimin e shteteve të tjera anëtare që Athina të lëshojë pe.
Një nga dëshmitë dhe arritjet e qarta është Marrëveshja me Bullgarinë, por kam përshtypjen se edhe në Greqi gjërat po ndryshojnë ngadalë dhe se po ndryshon diskursi- shtoi Vajgëll.
Për të ashtuquajturit Reformatorët e VMRO-DPMNE-së, me të cilët u takua në Bruksel, eurodeputeti slloven ka mendim të mirë, thotë se bëhet fjalë për njerëz qëllim mirë, që sjellin ide dhe perspektiva të freskëta.
Alsat M

