Shtatëmbëdhjetë kompani maqedonase në katër vitet e kaluara kanë arritur që t’i zvogëlojnë shpenzimet e tyre për energji nëpërmjet projektit për menaxhment industrial të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID. Për instalimin e sistemit për monitorim me menaxhimin e shpenzimit të energjisë, kompanitë duhet të investojnë nga 15 deri në 45 mijë dollarë, ndërkaq USAID deri më tani kompanive u ka mundësuar mbulim prej 50 përqind të vlerës së investuar, gjegjësisht maksimum nga 20 mijë dollarë.
Drejtori i misionit të USAID në Maqedoni, Xhejms Stajn, tha se përdorimi joefikas i energjisë në industrinë vendore ndikon dukshëm në konkurrencë dhe në prodhimet industriale.
“Desha të theksoj se me të vërtetë është arritur një sukses i madh në punën e këtij projekti, veçanërisht në përmirësimin e efikasitetit energjetik, kështu që në një numër të madh të kompanive, janë instaluar sisteme për menaxhim energjetik, ky është një koncept që gjithmonë e më shumë zbatohet dhe i cili mundëson që të zvogëlohet shpenzimi i energjisë dhe harxhimeve dhe ajo është e rëndësishme veçanërisht për kompanitë në Maqedoni”, ka deklaruar Xhejms Stajn, drejtor i misionit të USAID në Maqedoni.
Ndërkaq, drejtori i projektit të USAID për menaxhim industrial, Dragan Bllazhev, tha se kompanitë të cilat janë përfshirë në këtë sistem mund që në mënyrë më të mirë të kenë parasysh konsumin e energjisë dhe të bëjnë aktivitete të cilat mund të sjellin ulje të shpenzimeve dhe konsumit të energjisë dhe në këtë mënyrë mund t’i ulin shpenzimet e veta për prodhime dhe të jenë më të mirë dhe më konkurrent në tregun e brendshëm atë rajonal si dhe tregjet botërore.
“Kursimi varet para se gjithash prej asaj se çfarë bëni dhe gjithsesi se sa investoni, ajo varet nga madhësia e kompanisë, se sa kanë energji intensive dhe sa është potenciali I energjisë që e shpenzon ajo kompani”, tha Dragan Bllazhev, Drejtor i Projektit të USAID për menaxhim industrial.
Sipas Bllazhev, për vendosjen e këtij sistemi varësisht prej madhësisë së investimeve të kompanive paratë e investuara mund të kthehen brenda 1 viti për investimet më të vogla dhe deri në 8 vjet, për investimet më të mëdha.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
USAID ndihmon kompanitë për efiçiencën e energjisë by tvshenjaofficial