Martesa e dy të rinjve kurdë në qytetin turk të Gaziantepit është kthyer në një masakër. Mbrëmjen e së shtunës, një kamikaz shpërtheu në mes të turmës prej 228 personash, duke vrarë të paktën 50 prej tyre dhe duke plagosur 100 të tjerë.
Bilanci mund të rëndohet për shkak se shumë të plagosur janë në gjendje kritike për jetën. Qyteti ku ndodhi ngjarja banohet në pjesën më të madhe nga minoriteti kurd. Gaziantepi ndodhet 64 kilometra larg kufirit sirian dhe aty ka patur informacione për ekzistencën e celulave të ISIS-it. Zona ku ndodhi shpërthimi banohet kryesisht nga studentët.
Sipas policisë turke, kamikazi që shkaktoi tragjedinë mund të ketë lidhje me një tjetër kamikaz që i mori jetën edhe dy policëve më herët në këtë qytet. Zëvendëskryeministri turk Mehmet Simsek, i cili vizitoi të plagosurit në spital, e quajti ngjarjen një “sulm barbar” dhe “me vullnetin e Zotit ne do e tejkalojmë këtë ngjarje”.
Në Turqi kanë ndodhur shpesh ngjarje të tilla të rënda dhe dyshimet kanë qenë se sulmet janë kryer nga militantët e ISIS-it, por edhe militantët e PKK-së kurde, e cila lufton për autonomi të rajoneve të banuara nga kurdët.