Fillimisht në mediat serbe e më pas edhe në ato shqiptare, qarkulloi ditën e enjte një lajm, sipas të cilit, Donald Trump, në një intervistë për një revistë në Beograd, i kishte kërkuar ndjesë popullit serb për Kosovën dhe bombardimet e NATO-s.
Lajmi u përhap nga revista Nedeljnik, e cila pretendon se e kishte realizuar atë përmes këshilltares së kandidatit republikan, Suzanne Ryder Jaworowski.
“Bombardimi i serbëve, që kanë qenë aleatët tanë në të dyja luftërat botërore, ishte një gabim i madh. Serbët janë njerëz të mirë, por fatkeqësisht, administrata Klinton u shkaktoi shumë vuajtje atyre dhe gjithë Ballkanit, duke krijuar kaos”, citon Donald Trump revista serbe.
Por sa të vërteta janë këto fjalë? Sipas “Politicos”, që është interesuar pranë stafit të fushatës së kandidatit republikan; zero…dhe vetë Jaworowski ka mohuar realizimin e një interviste të tillë.
“Nuk ka patur asnjë intervistë të Trump për mediat serbe. Nuk e di nga ka dalë kjo, por unë personalisht nuk kam ndërmjetësuar asnjë intervistë të asnjë lloji dhe me asnjë gazetar serb”, thotë ajo.
Por nga buroi kjo “intervistë”? Marko Prelevic, redaktor i revistës tha për Buzzfeed Neës se kishte kontaktuar me stafin e Trump përmes Vladimir Rajcic, një serb shtetas amerikan i afërt me disa këshilltarë të Trump.
“I kërkuam atij me e-mail nëse mund të dërgonim disa pyetje. Ai pranoi dhe disa javë më vonë na erdhën përgjigjet nga Suzanne Ryder Jawrowski”, pretendon ai.