Një 42-vjeçare shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi u përplas nga një kamion i mbledhjes së mbetjeve teksa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
Viktima është identifikuar si Lavdije Isteri, nënë e tre fëmijëve, e cila prej vitesh jetonte në Passarella di San Donà di Piave, së bashku me bashkëshortin dhe familjen e saj.
Aksidenti tragjik ndodhi pak para orës 08:00 në rrugën “Paolo VI”. Isteri po kalonte në vijat e bardha kur u përplas nga një kamion i kompanisë Alisea, e cila operon për Veritas.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, kamioni po kryente një kthesë djathtas me shpejtësi shumë të ulët, ndërsa 42-vjeçarja ndodhej në atë që kompania e cilëson si “pikë të verbër” të mjetit.
Shoferi, 59 vjeç, nuk e kishte parë gruan, ndërsa as punonjësi tjetër që ndodhej në pjesën e pasme të kamionit nuk e kishte konstatuar përplasjen.
Vajza 9-vjeçare e viktimës, të cilën Lavdije Isteri po e shoqëronte për në shkollën fillore “Marco Polo”, fatmirësisht nuk pësoi dëmtime. Sipas një dëshmitareje, vajza ndodhej disa metra përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugën në momentin kur kamioni përplasi 42-vjeçaren.
Pas aksidentit, 9-vjeçarja u shoqërua nga mësuesit brenda shkollës. Në vendngjarje mbërritën edhe dy fëmijët e tjerë të viktimës, 20 dhe 18 vjeç. Të tre fëmijët u dërguan në spital, ndërsa autoritetet shëndetësore u ofruan edhe mbështetje psikologjike..
The post E rëndë në Itali/ Kamioni përplas për vdekje 42-vjeçaren shqiptare, po shoqëronte vajzën në shkollë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



