Alsat 2019-07-31T14:58:34+02:00
Mos respektimi i sinjalizimit ka qenë arseja për aksidentin mëngjesin e sotëm në fshatin Kondovë të Shkupit. Nga Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut-Infrastruktura” thonë se treni i linjës Kërçovë-Shkup kishte goditur makinën e udhëtarëve pasi shoferi nuk kishte respektuar sinjalizimin, gjë që shihej nga filmimet e kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes. Nga aksidenti nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.
Ai këtë nuk e ka bërë, prandaj është shkaktuar përplasje. Në thuajse në të gjitha kalimet rrugore kemi vendosur mbikëqyrje të kamerave kështu që lirshëm mund të themi se si ka ndodhur fatkeqësia. Unë ju tregoj se makina nuk ka respektuar shenjat e sinjalizimit hekurudhor dhe rrugor që janë vendosur në atë kalim rrugor prandaj edhe ka ardhur deri te kjo ngjarje e pakëndshme mes trenit dhe makinës – deklaroi Petar Spasovski, “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut-Infrastruktura”.
“Aksidenti i radhës mes një makine udhëtarësh dhe trenit ndodhi pikërisht në këtë vend ku gjendemi tani. Qytetarët e anketuar thonë se sinjalizimi është i vendosur dhe i njëjti është në funksion mirëpo, në të shumtën e rasteve nuk respektohet nga vozitësit”.
Pavarësisht se sinjalizimi është në funksion, qytetarët shprehen të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe kërkojnë edhe vendosjen e rampave në kalime të tilla.
“Duhet të vendoset rampë, askush nuk i shikon semaforët. Unë ec dhe harroj që ka semaforë, ndërsa kur e shohim rampën, deshe nuk deshe duhet të ndalesh”.
“Janë semaforët dhe bie zilja, por më mirë është të ketë rampë se ka shumë makina”.
“Ka shumë aksidente, shpesh ndodhin ato, varet nga shoferi. Mendoj se mirë do të ishte të vendoset rampë”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmuan rastin në fjalë por nuk dhanë hollësi të tjera duke shtuar se hetimi po vazhdon. Aksidenti i fundit hekurudhor ku humbën jetën 3 persona nga Haraçina ndodhi në korrik të vitit të kaluar në hekurudhën Kumanovë-Shkup.
Melihate Rustemi
Loading…



