Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në operatorin shtetëror të transmetimit të energjisë elektrike MEPSO, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën e menaxhimit të projekteve strategjike energjetike dhe duke kërkuar hetim institucional mbi procedurat e ndjekura nga drejtuesit e kompanisë.
Sipas BDI-së, informacionet e publikuara nga televizioni Telma, sipas të cilave MEPSO gjatë vitit të kaluar aktivizoi garancinë bankare të kompanisë kroate “Dalekovod” për shkak të projektit të linjës së transmetimit Shkup–Veles, ndërsa më pas të njëjtës kompani i besoi një kontratë prej 19.3 milionë eurosh për realizimin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë, paraqesin një situatë “absurde” që kërkon sqarim të menjëhershëm publik.
Në reagimin e saj, BDI kërkon që drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, të japë shpjegime të detajuara për opinionin lidhur me arsyet e aktivizimit të garancisë bankare ndaj kompanisë kroate, në një kohë kur asaj i është besuar një projekt edhe më i madh dhe me rëndësi strategjike për vendin.
“Ndërsa shteti po zhytet në pasiguri energjetike, Telma publikoi se MEPSO vitin e kaluar e aktivizoi garancinë bankare të kompanisë kroate Dalekovod, e cila punonte në linjën e transmetimit Shkup–Veles, ndërsa në ndërkohë të njëjtës kompani i ndau një kontratë prej 19,3 milionë eurosh për interkoneksionin energjetik me Shqipërinë. Kjo nuk është rastësi, kjo është absurd”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare thekson se ky zhvillim ngre shqetësime serioze për realizimin e projektit të interkoneksionit me Shqipërinë, duke vlerësuar se ekziston rreziku që kompania të mos jetë në gjendje ta përfundojë projektin në afatet e parapara.
“MEPSO dhe Burim Latifi duhet t’ia shpjegojnë publikisht dhe në mënyrë të detajuar opinionit arsyet e aktivizimit të garancisë bankare ndaj kësaj kompanie, në një kohë kur po të njëjtës i është besuar një projekt strategjik shumë më i madh. Për shkak të aktivizimit të garancisë bankare, ekziston një shqetësim i bazuar se kompania kroate Dalekovod mund të mos jetë në gjendje ta realizojë me kohë dhe pa probleme projektin e interkoneksionit energjetik me Shqipërinë”, thekson BDI.
Në reagim ngrihen edhe pikëpyetje për mënyrën se si janë marrë vendimet në MEPSO, ndërsa kërkohet përgjegjësi për pasojat që mund të kenë mbi sigurinë energjetike të vendit.
“Çfarë mesazhi u dërgohet qytetarëve dhe investitorëve nëse operatori shtetëror i transmetimit ndëshkon një kontraktor në një projekt, ndërsa të njëjtin e shpërblen me një kontratë të re dhe të dyshimtë? A janë vënë interesat kombëtare dhe stabiliteti energjetik në plan të dytë në favor të interesave të huaja apo politike të biznesit?”, pyet BDI.
Partia rikujton se edhe më herët kishte paralajmëruar për mënyrën e menaxhimit të MEPSO-s nën drejtimin e Burim Latifit, duke pretenduar se zhvillimet e fundit vetëm sa i kanë konfirmuar shqetësimet e saj.
“BDI kishte paralajmëruar më herët se, nën drejtimin e Burim Latifit, MEPSO nuk do të sillte zgjidhje reale për interkoneksionin me Shqipërinë. Gjetjet e sotme e konfirmojnë shqetësimin tonë: interkoneksioni me Shqipërinë rrezikon të mbetet i parealizuar, sepse vendimet nuk bazohen në profesionalizëm, por në interesa partiake apo personale”, thuhet më tej në reagim.
BDI shpreh gjithashtu shqetësim edhe për përbërjen e konsorciumit që ka fituar kontratën për interkoneksionin, duke pretenduar se në të marrin pjesë kompani për të cilat ekzistojnë indicie për lidhje me struktura të afërta me presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, dhe presidentin e Serbia, Aleksandar Vučić.
Sipas partisë, kjo situatë është krijuar pasi MEPSO ndërpreu kontratën me kompaninë Energoinvest, e cila më pas ngriti padi në gjykata ndërkombëtare, ndërsa, sipas BDI-së, ekziston rreziku që shteti të përballet me miliona euro dëmshpërblim.
“Veçanërisht shqetësues është fakti se kontrata e re është nënshkruar me një konsorcium ku bëjnë pjesë edhe dy kompani të tjera, për të cilat ekzistojnë indicie serioze për lidhje me struktura të afërta me Milorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiqin. Kjo ndodhi pasi MEPSO e ndërpreu kontratën me kompaninë Energoinvest, e cila më pas ngriti padi në gjykata ndërkombëtare, ndërsa ekziston një mundësi reale që shteti të detyrohet të paguajë miliona euro dëmshpërblim. Këto veprime amatoreske dhe të pamenduara të Burim Latifit e ekspozojnë MEPSO-n dhe shtetin ndaj një rreziku serioz financiar dhe politik”, deklaron BDI.
Në fund, partia u bën thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin veprime urgjente për verifikimin e të gjitha procedurave që lidhen me këtë rast.
“I bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Energjetikës që urgjentisht të nisin një revizion të pavarur të vendimeve të MEPSO-s, të verifikojnë procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit dhe të publikojnë të gjitha informacionet relevante mbi lidhjet financiare dhe afariste”, përfundon reagimi i BDI-së.


