Gjykata e Apelit ka miratuar vendim për lëndën Titanik 3, në të cilën të akuzuar për mashtrim dhe shkatërrim të materialit zgjedhor në vitin 2013 janë Ismet Guri dhe Ejup Alimi, në cilësinë e funksionarëve të BDI-së asokohe.
Alsat mëson ekskluzivisht se Guri si i akuzuar i parë është dënuar me tre vjet burg, apo gjashtë muaj më pak se vendimi i Gjykatës Penale. Ndërkaq, për Alimin, të cilin Penalja e dënoi sikur Gurin me tre vjet e gjysmë burg, Apeli ka vendosur që të dënohet me 2 vjet burg me kusht, nëse nuk kryen vepër penale në afat prej pesë vitesh.
Lënda “Titanik 3”, para gjykatave të vendit ndodhet prej vitit 2018-të. Gjatë gjykimit të parë, Gjykata Penale e Shkupit i dënoi Gurin dhe Alimin me nga 3 vjet e gjysmë burg, por Gjykata e Apelit në Shkup këtë e shfuqizoi dhe e riktheu lëndën nga e para. Penalja sërish i dënoi të akuzuarit me të njëjtën lartësi të dënimit, ndërkaq të akuzuarit sërish u ankuan në Apel, për çka tani Apeli ka miratuar vendimin.
Akuza për mashtrim dhe shkatërrim të materialit zgjedhor u përfaqësua nga ish Prokuroria Speciale Publike, por që më pas u trashëgua si lëndë nga Prokuroria Publike. Procesi gjyqësor ishte përcjellë me shumë lëshime dhe parregullsi, akuza për zvarritje të qëllimshme dhe presione politike, duke e bërë në të njëjtën kohë lëndën me numrin më të madh të dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja dhe pala e akuzës. /Alsat.mk