Në kuadër të fushatës ‘vozisni të pushuar’, drejtuesit e ministrive të Punëve të Brendshme nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia vizituan pikën kufitare “Tabanovci” nga ku shënuan zyrtarisht aksionin e parë të përbashkët parandalues. Ministri Pançe Toshkovski theksoi se kjo fushatë dhe aktivitetet e përbashkëta parandaluese janë një tjetër konfirmim i bashkëpunimit të suksesshëm midis dy vendeve fqinje dhe mike.
Pançe Toshkovski, ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut
“Së bashku me kolegët tanë nga Serbia, po dërgojmë një mesazh të fortë se parandalimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur jetët njerëzore. Shoferët që nisen për udhëtime të gjata gjatë këtyre ditëve të nxehta duhet të pushojnë, dhe gjatë udhëtimit duhet të bëjnë një pushim çdo dy deri në tre orë, që zgjat të paktën pesëmbëdhjetë minuta. Shumica e aksidenteve rrugore ndodhin sepse kemi lodhje të tepërt tek ata që drejtojnë automjetin ose sepse e ngasin shumë shpejt. Për shkak të të gjitha këtyre, besoj se kjo është një fushatë kyçe”.
Tutje ai kujtoi se me zbatimin e sistemit One Stop me Republikën e Serbisë, pritja në këtë pikëkalim kufitar është zvogëluar nga disa orë në një maksimum prej gjysmë ore këto ditë, megjithëse frekuenca e pasagjerëve është rritur me 15 deri në 20 %. Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjithë atyre që kalojnë tranzit nëpër Korridorin 8 dhe Korridorin 10 në Maqedoni, që kamerat “Qytet i Sigurt” të funksionojnë, të punojnë dhe të regjistrojnë shkeljet e trafikut.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative të përbashkët, duke vlerësuar se ajo përfaqëson një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal në interes të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik dhe theksoi edhe një herë bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy ministrive dhe dy forcave policore në të gjitha fushat e sigurisë.
Ivica Daçiç, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë
“Prioriteti ynë është të shpëtojmë çdo jetë njerëzore, veçanërisht jetën e më të vegjëlve, dhe kjo është një çështje e madhe. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë shoferëve të udhëtojnë të pushuar dhe të përgjegjshëm, veçanërisht në destinacionet e gjata të verës. Bashkëpunimi me policinë e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e këtij veprimi parandalues është me rëndësi të veçantë gjatë periudhës kur mijëra turistë kalojnë tranzit nëpër të dy vendet”.
Në kuadër të fushatës, shoferëve që kalonin nëpër pikën kufitare Tabanoc u shpërndanë shishe me ujë, fletëpalosje edukative me këshilla për drejtim të sigurt dhe materiale promovuese me rekomandime për parandalimin e aksidenteve të shkaktuara nga lodhja.
Anida Murati /SHENJA/


