Pas shirave të rrëmbyeshëm që përfshinë Shkupin pasditën e sotme, kanë reaguar autoritetet. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski nëpërmjet një reagimi në Facebook njoftoi se, Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit, së bashku me shërbimet dhe ndërmarrjet publike, është plotësisht i mobilizuar dhe i gatshëm për ndërhyrje të shpejtë në terren, nëse ka dëme, përmbytje ose nevojë për reagim urgjent.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK), Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), EVN-në, Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe të gjitha institucionet kompetente”, ka thënë ai.
Edhe nga Komuna e Çairit kanë thënë se, ekipet e tyre janë në terren dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet kompetente, duke monitoruar gjendjen dhe duke ndërhyrë kudo që paraqitet nevoja. Nga komuna u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente.


