Kryeministri Hristijan Mickoski i ka marrë emrat e ministrave të ri të partnerëve të koalicionit VLEN dhe ZNAM, por i lë që ato t’i shpalosin vetë partitë dhe tha se pajtohet me ato propozime si dhe pret punë më të suksesshme në përbërjen e re qeveritare.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Po, i kam propozimet edhe për ministrat e ri të VLEN-it dhe të partisë ZNAM, por do ta lë që ata ti tregojnë, të mos i them unë. Për mua ato propozime janë në rregull dhe pres që të kemi punë edhe më të suksesshme në përbërjen e re të Qeverisë”.
Edhe pse kryeministri veçmë e ka shpallur vendimin për t’ia marr ministrinë Azir Aliut, ai ende ndihet ministër i Shëndetësisë dhe thotë se do të vazhdoj të jap kontribut edhe në politikë edhe jashtë saj.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Ku do të jem? Momentalisht jam ministër i Shëndetësisë, pasi që Parlamenti ende nuk ka votuar ministër të ri dhe deri në momentin e fundit, në çdo minutë, do ta shfrytëzoj për të bërë politika dhe për të shfrytëzuar sistemin shëndetësor këtu”.
Një reagim për këto ndryshime postesh e pati edhe Ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani, me një shkrim në facebook, të titulluar “Misioni vazhdon”.
Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale
“Një vendim është përcaktues i një funksioni, por detyrimi ndaj popullit u gatua me karakterin e ndërtuar nga dita e lindjes dhe në vazhdimsi”.
Kryeministri pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të partisë të martën, i shpalosi ndryshimet e përbërjes qeveritare.
Nga partia VLEN i tregoi vetëm resoret, gjegjësisht se atyre do ju takojnë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Marëdhënieve mes Bashkësive, ndërsa nuk i tregoi edhe emrat e ministrave. Ndërkohë në media flitet se në Drejtësi do të shkoj Jeton Shasivari, në Kulturë Sedat Sulejmani dhe në Ministrinë e Mrëdhënieve ndërmjet Bashkësive Agon Ferati.
VMRO me rikonstruimin e Qeverisë, do ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë të Azir Aliut dhe këtë post do ta zejë drejtori i Fondit Shëndetësor Sasho Klekovski, ndërsa në vend të tij shkon Zllatko Perinski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Kurse Perinskin e zëvendëson Ivan Stoillkoviq, që tani është ministër i Marëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Po ashtu VMRO e mer edhe Ministrinë e Fatmir Limanit, për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi dhe në atë vend do të vijë Gjoko Vellkovski, që aktualisht është zëvendës ministër në atë dikaster.
ZNAM pasi humbi Drejtësinë, tani do të merr Ministrinë e Bujqësisë dhe aty vjen Borçe Serafimovski, që aktualisht është sekretar gjenerel në këtë ministri.
Propozimi për përbërjen e re qeveritare pritet që të premten të dorëzohet në Kuvend dhe më së voni deri në mesin e korrikut të votohet.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


