Ky zhvillim ndodh pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi të mos ndalojë ligjin e miratuar nga Kongresi në mars të vitit të kaluar, i cili kërkon që pronarët kinezë të “ByteDance” ta shesin aplikacionin “TikTok” te një degë amerikane, përndryshe do të ndalohet.
Fundit i funksionimit të aplikacionit “TikTok” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pothuajse i sigurt, njoftoi kompania që qëndron pas aplikacionit popullor për ndarjen e videove. Në një postim në rrjetin social “X”, kompania deklaroi se, megjithëse lufta e tyre kundër ligjit të miratuar nga Kongresi në mars 2024, në emër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, ka vazhduar për disa muaj, Gjykata e Lartë e SHBA-së refuzoi ta ndalojë atë.
Nëse nuk ka zhvillime të reja gjatë ditës së sotme, aplikacioni do të ndalojë së funksionuari në territorin amerikan.
“TikTok, për fat të keq, do të detyrohet të ndalojë operacionet në SHBA më 19 janar, përveç nëse administrata e Joe Biden siguron që ligji, i cili ndalon platformën në SHBA nëse pronari i saj kinez nuk pranon ta shesë, të mos zbatohet,” deklaruan nga TikTok.
Ndryshe, ligji i miratuar nga Kongresi i kërkon pronarit kinez të aplikacionit “ByteDance” që të shesë degën amerikane të TikTok, përndryshe aplikacioni do të ndalohet. Gjykata e Lartë, dje, megjithëse pranoi se TikTok është një mjet i rëndësishëm shprehjeje për mbi 170 milionë amerikanë, mbështeti vendimin e Kongresit, duke shprehur shqetësime për sigurinë kombëtare.
Shtëpia e Bardhë sugjeron se zbatimi i ligjit do t’i lihet administratës së ardhshme të Trump, ndërsa Departamenti Amerikan i Drejtësisë deklaroi se do të duhet kohë për ta zbatuar ligjin. Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, nga ana tjetër, më parë ka shprehur mbështetje për mbajtjen e TikTok në SHBA, por ankesa e tij në Gjykatën e Lartë ishte e pasuksesshme.