28 Dhjetor
Aktakuzat për rastet që deklarohen si politike nuk kanë peshë ligjore. Këtë e kanë vërejtur nga “Transparencë International” në raportin e tyre vjetorë. Nga ky institucion shprehen se edhe pas gjashtë muajve nga ndryshimi i pushtetit, vendi edhe më tej është i kapur, institucionet qëndrojnë në status- kuo ndërsa pritja e gjatë për emërimin e prokurorit publik edhe më shumë e ka çuar shtetin në humnerë lidhur me ndjekjen e krimit.
Aktakuzat nuk janë të mira, formulimet për grupe të organizuara kriminale nuk janë të mira, në aktvendimet nuk ka gjendje të qartë të vërtetuar faktike, nuk vërtetohen motivet e veprave ndërsa aktvendimet nuk bazohen në dëshmi të qarta- deklaroi Slagjana Taseva, “Transparencë International”- Maqedoni.
Sipas Tasevës, zvarritja e procesit të emërimit të prokurorit shtetëror nuk është tregues i mirë për Maqedoninë dhe lihet përshtypje se nuk ka vullnet të kthehet shteti juridik apo të sigurohet sundimi i të së drejtës.
Nuk po bëhet asgjë. Ligji ekziston, ekziston korniza juridike, e pse nuk bëhet? Ndoshta nuk ka kapacitet”?- theksoi Slagjana Taseva.
Sipas “Transparencë International”, problemi që do të bartet edhe vitin e ardhshëm është edhe statusi i pazgjidhur i Prokurorisë Speciale. Për Tasevën, hap pozitiv të paktën janë dorëheqjet e anëtarëve të KSHZ-së pas aferës me ndarjen e bonuseve shtesë.
Verica Pavlovska

