Në atmosferë të tensionuar ka kaluar tentimi për marrjen e postit të kryetarit të Lidhjes së Sindikatëve të Maqedonisë. Kryetari i ri Darko Dimovski ka qenë i penguar në përpjekjet e tij për t’u futur në objektin e Sindikatës nga ana e sigurimit të ish kryetarit Zhivko Mitrevski. Pas një kohe dhe intervenimit policor, Dimovski prezantoi vendimin e Regjistrit Qendror me të cilin dëshmon se tani ai është kryetar i Lidhjes së Sindikatës. Mitrevski kërkoi kohë për ta dorëzuar funksionin. Më pas, Dimovski, mbajti konferencën e parë për shtyp dhe tha se ata menjëherë do të fillojnë punën.
DARKO DIMOVSKI, KRYETAR I LSM
“Tani gjithë jemi në punë, edhe pse jemi në katin e nëntë. I japim kohë Mitrevskit që të përgatis dokumentet dhe të dorëzoj funksionin, deri atëherë në do të fillojmë punën. E dini se jemi larguar nga zyret, tani shërbimet duhet t’i hapin zyret dhe të shohim se në çfarë gjendje janë”.
Nga ana tjetër, tani më kryetari i shkarkuar Zhivko Mitrevski tha se betejën e tij do ta zhvilloj në rrafshin juridik, ngase vlerëson se është shkarkuar në mënyrë jolegjitime.
ZHIVKO MITREVSKI, ISH KRYETAR I LSM-SË
“Sot jemi dëshmitarë të një skandali tjetër historik. Sot sistemi juridik i Maqedonisë u gjunjëzua me vendimin e Regjistrit Qendror me të cilin largohet nga Regjistri, kryetari i zgjidhur në mënyrë legjitime, Zhivko Mitrevski, ndërsa emërohet Darko Dimovski, i cili nuk është anëtar i LSM-së”
Ai ka thënë se ka dërguar padi penale kundër ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska dhe drejtoreshës së Regjistrit Qendror, Ana Trajçeva.
Enis Murtezi /SHENJA/

