Tre tenderë me vlerë të përbashkët rreth 20 milionë euro janë hapur për investime në ujësjellës, kanalizime dhe impiante të trajtimit të ujërave të ndotura në Dhërmi, Qeparo dhe Pustec, me pjesën më të madhe të fondit të parashikuar për Dhërmiun.
Në total, fondi limit për të tre procedurat arrin në rreth 1.82 miliardë lekë apo rreth 20 mln euro. Projekti në Dhërmi ka një fond limit prej 1.129 miliardë lekësh, ai në Pustec prej 522.85 milionë lekësh, ndërsa për ujësjellësin e Qeparoit janë parashikuar 166.67 milionë lekë.
Pwr Dhërmiun, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka hapur tenderin për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemit të kanalizimeve. Projekti është pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 dhe synon zgjerimin e rrjetit ekzistues, rritjen e zonës së mbuluar me shërbim dhe trajtimin e ujërave të ndotura para shkarkimit të tyre në det, larg bregut.
Sipas dokumentacionit të projektit, ndërhyrja përfshin fshatin e vjetër të Dhërmiut dhe zonën turistike në pjesën lindore. Sistemi është projektuar për mbledhjen, transferimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa dokumenti parashikon edhe lidhjen e familjeve me rrjetin qendror në vend të përdorimit të gropave septike.
Në Pustec, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë ka hapur tenderin me fond limit 522.85 milionë lekë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në fshatrat e bashkisë dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.
Projekti është hartuar për një zonë me rreth 5,191 banorë dhe synon të adresojë mungesën e infrastrukturës bashkëkohore të kanalizimeve dhe problemin e shkarkimeve nga banesat. Relacioni teknik evidenton rrjete të amortizuara, ndërsa në disa njësi nuk ka rrjet ekzistues. Dokumenti përmend gjithashtu dalje të ujërave në sipërfaqe, probleme higjienike dhe përmbytje nga reshjet.
Rrjeti është projektuar kryesisht me vetërrjedhje. Për pikat pranë liqenit parashikohet trajtimi i ujërave të ndotura përpara shkarkimit, me qëllim shmangien e ndikimit në ekosistemin e liqenit.
Tenderi i tretë është hapur nga Bashkia Himarë për ndërtimin e ujësjellësit të Qeparoit, me fond limit 166.67 milionë lekë.
Projekti përfshin Qeparo Fshat dhe Qeparo Fushë dhe, sipas dokumentacionit teknik, është hartuar për një popullsi të përgjithshme prej 2,769 banorësh. Sistemi furnizohet nga burimet e Borshit, ndërsa linja transmetuese kalon drejt zonës së projektit dhe stacioni i pompimit dërgon ujin në një rezervuar ekzistues me kapacitet 200 metra kub. Studimi hidrogjeologjik i përfshirë në dokumentacion llogarit një prurje të disponueshme prej 22 litrash në sekondë për furnizimin e Qeparoit nga burimi i Borshit.



