Parlamenti spanjoll rrëzoi të premten dy dekrete emergjente të qeverisë së Pedro Sánchez për krizën e strehimit, në një goditje të rëndë parlamentare për qeverinë e pakicës.
I pari u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro, ndërsa i dyti me 184 kundër dhe 166 pro.
Sipas Reuters dhe Associated Press, masat synonin ndër të tjera mbrojtjen e qiramarrësve vulnerabël nga dëbimet, kufizimin e disa praktikave në tregun e pasurive të paluajtshme dhe forcimin e të drejtave të qiramarrësve.
Humbja në Parlament ka rritur presionin mbi Sánchez dhe ka hapur diskutimin për zgjedhje të parakohshme. Euronews raporton se kryeministri po shqyrton mundësinë e zgjedhjeve më 29 nëntor, ndërsa agjencia spanjolle EFE thekson se Sánchez ka nisur një periudhë reflektimi dhe se vendimi për zgjedhjet ende nuk është marrë. Data 29 nëntor do të ishte data më e hershme e mundshme nëse Parlamenti shpërndahet.
Në të njëjtën kohë, protesta për krizën e banesave vazhdojnë në Madrid dhe qytete të tjera. Sipas Reuters, protestuesit kanë paralajmëruar rikthimin në rrugë dhe vijimin e kampingut në qendër të Madridit pas votimit. Debati politik u përqendrua te masat për ndalimin e dëbimeve të personave vulnerabël, rregullimin e qirave dhe rritjen e ofertës së banesave, ndërsa partitë opozitare dhe Junts kundërshtuan paketën e qeverisë.



