Alsat 2020-01-29T14:11:43+01:00
Ishte mundësia e vetme që në mungesë të borës, teleferiku me gjashtë ulëse të bëhet atraksion për turistët në Kodrën e Diellit. Por një gjë e tillë nuk u realizua. Për shkak të mos dhënies së lejes nga ana e Ministrisë së Transportit, teleferiku me gjashtë ulëse vazhdon të jetë i fikur dhe jashtë funksionit.
Heshtje në Ministrinë e Transportit. Nuk u përgjigjën se kur do të japin leje, edhe pse një javë më parë thanë se procedurat do të përfundojnë për pak ditë.
Neglizhenca e këtillë e institucioneve, ka revoltuar Nismën “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Ata këto veprime i quajnë si të qëllimshme ndërsa paralajmërojnë edhe padi ndaj institucioneve.
Ata qëllimisht bëjnë humbjen e dokumenteve dhe lejeve nëpër labirinte të ndryshme, vetëm e vetëm që ta bllokojnë Kodrën e Diellit. Ne si nismë jemi tepër të zhgënjyer por nuk do ndalemi këtu sepse një ditë do gjejmë një vesh i cili do na dëgjojë. Është e patjetërsueshme si tetovarë të krijojmë një referendum apo të bëjmë një padi penale si qytet dhe një peticion që ELEM një herë e për gjithnjë të tërhiqet nga okupimi i Kodrës së Diellit – deklaroi Hamdi Sulejmani, Nisma ta shpëtojmë Kodrën e Diellit.
Nga Elem Turs thonë se kanë kryer të gjitha obligimet dhe se presin përgjigje nga transporti.
Pas përfundimit të procedurës së përgjithshme dhe marrjes së lejes së nevojshme nga ana e Ministrisë së Transportit dhe lidhjeve, krijohen kushtet që “Elem Turs” ta lëshojë në përdorim gjashtë ulësen. Fjalën e fundit, për fillim me punë të teleferikut e ka EMV-ja – thonë nga Elem Turs.
Drejtuesit e “Nismës për Kodrën e Diellit” kërkojnë nga ELEM dhe Ministria e ekonomisë, që procedurat që pretendojnë se i kanë kryer, t’i bëjnë publike bashkë me dokumentacionin, i cili duhet të jetë i hapur për qytetarët me qëllim që siç thonë të shihet se kush pengon Kodrën e Diellit.
Bashkim Sulejmani
Loading…




