Teatri i Tetovës kritikon Ministrinë e Kulturës për buxhetin e vogël që ka ndarë për këtë institucion kulturor, shkruan Alsat.
Drejtori Hasim Memishi thotë se vetëm me 4 milionë denarë duhet të përgatisin 3 shfaqje dhe të organizojë edicionin jubilar, të dhjetë me radhë të Festivalit të Teatrove.
“Me mjetet që lëshon Ministria dhe me kushtet me të cilat ne punojmë nuk e di a mund të llogaritemi si punëtorë të thjeshtë e jo si artistë. Është shumë keq sidomos për Tetovën, që ka publik më shumë se gjithë qytetet tjera të vendit. Kurdo që bëjmë shfaqje e kemi sallën plot dhe këtij publiku duhet t’i ofrohen më shumë kushte, më shumë shfaqje e projekte brenda vitit. Është tejet e dhimbshme që Teatri funksionon në këto kushte dhe me këtë buxhet”, tha Hasim Memishi, drejtor i Teatrit të Tetovës.
“Edhe pse institucionet funksionojnë mbi bazën e buxhetit, por, besoni ose jo, buxheti nuk është problemi kryesor që ka Teatri i Tetovës. Problemi kryesor që ka Teatri është nxehja e kësaj salle, e cila, tash e afro dy dekada nuk u rregullua asnjëherë. Gjithnjë në Teatrin e Tetovës, ka mungesë të naftës për ngrohje”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Për këtë vit s’kemi më afat shkoi dimri, por vitin e ardhshëm duhet patjetër të gjejmë zgjidhje, të bëjmë protestë apo edhe ligjërisht të mos punojmë. Nuk mund ta arsyetojmë edhe para publikut mos punën gjatë dimrit. Nuk e di sa mund ta quajmë të qëllimshme këtë që ndodh, por meqë na përsëritet në vazhdimësi ka një dreq dhe duhet ta zgjidhim sa më parë”, shprehet Hasim Memishi, drejtor i Teatrit të Tetovës.
Ky diskriminim që për vite me radhë i bëhet Teatrit të Tetovës, ndodh shkaku i mungesës së objektit të ri të Teatrit, si pasojë e të cilit, Ministria nuk lëshon mjetet e duhura sepse arsyetohet se nuk ka hapësirë për më tepër shfaqje. Për gjendjen e keqe dhe shkatërrimin e këtij institucioni kulturor Memishi drejton gishtin nga qeveria e kaluar. / Alsat.mk